`Qëllimi i takimit në Berlin të jetë zhbllokimi i dialogut Kosovë – Serbi`

Desk
By Desk 26 Prill, 2019 19:33

`Qëllimi i takimit në Berlin të jetë zhbllokimi i dialogut Kosovë – Serbi`

Komisioneri Europian për Zgjerimin Jonahs Hahn tha se qëllimi kryesor i takimit të organizuar nga udhëheqësit gjermanë dhe francezë në Berlin me zyrtarët e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë për të zhbllokuar dialogun Kosovë – Serbi.

Hahn përshëndeti iniciativën e Parisit dhe Berlinit dhe interesimin e tyre të përtërirë në rajon, por paralajmëroi gjithashtu se zgjidhja për këtë çështje nuk mund të imponohet nga jashtë.

“Është e qartë se një zgjidhje e qëndrueshme duhet të vijë nga dy vendet të cilat përfundimisht duhet të hartojnë një marrëveshje të mundshme dhe ta paraqesin atë tek qytetarët e tyre”. Zgjidhja e vendosur e imponuar nuk mund të funksionojë, tha Hahn, “në një intervistë me agjencinë gjermane DPA, të botuar në faqen e internetit Handelsblat.

Hahn foli përpara takimit në Berlin i cili do të mbahet të hënën nën organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, ku do të jenë prezent edhe presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksandër Vuçiq.

Hahn tha se nisma të tilla janë të rregullta nga shtetet anëtare të BE-së dhe se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një prioritet politik për të gjithë BE-në.

“Duhet të ketë sinjale në këtë takim. Zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe stabiliteti dhe përparimi në vendet e tjera të rajonit do të arrihet vetëm nëse ne veprojmë të bashkuar dhe të integruar në Ballkanin Perëndimor”, tha Hahn.

Komisioneri Evropian paralajmëroi se shtyrja e hapjes së bisedimeve të pranimit në BE me vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë bërë përparim të madh në përmbushjen e kritereve mund të destabilizojë gjithë rajonin.

“Vonesa ose jo-njohja e progresit objektiv të vendeve kandidate do të kishte pasoja dramatike për vendet në fjalë dhe rajonin si tërësi, që pothuajse me siguri do të çonte në një efekt domino negativ”, tha Hahn.

“Perspektiva e pranimit në BE për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u riafirmua njëzëri nga vendet anëtare të BE në një takim të nivelit të lartë në Sofje vitin e kaluar dhe kjo është në interesin e BE-së, sepse nëse ne nuk eksportojmë qëndrueshmëri tek fqinjët tanë do të importojmë paqëndrueshmëri”, tha Hahn.

Hahn tha se pret që në fund të majit, Komisioni Europian do të japë një rekomandim pozitiv për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësimit në bazë të kritereve të miratuara unanimisht nga shtetet anëtare.

“Vetëm politika e besueshme do të ketë sukses në promovimin e procesit të reformave në Ballkanin Perëndimor dhe ruajtjen e ndikimit tonë në rajon”, tha Han.

Desk
By Desk 26 Prill, 2019 19:33