Qendra Kulturor në Tetovë, ende në fazën e parë të punimeve

Qendra Kulturor në Tetovë, ende në fazën e parë të punimeve

Qendra Kulturor në Tetovë ende është në fazën e parë të ndërtimit edhe pse në dhjetor të vitit të kaluar drejtuesit e saj kishin premtuar mbylljen punimeve brenda gjashtë muajve.

Drejtori Artan Arsllani nuk ka një datë të saktë se kur pritet të mbyllen punimet ndërsa vonesat i arsyeton edhe me zhvillimet në Ministrinë e Kulturës duke aluduar në dorëheqjen e kreut të këtij dikasteri.

Kishte ngecje të vogla që u zgjodhën për një kohë të shkurtër dhe punimet vazhdojnë në objekt dhe sa kam informacion prej firmës janë në përfundim e sipër po për afat nuk mund të jap afat konkret kur mund të kryhen punët… Shumica janë dëshmitarë me atë që ndodh në Ministri, normal shërbimet punojnë por aty stagnon puna derisa të merren vendimet e nevojshme për ta përshpejtuar punën, por gjithsesi ne jemi në komunikim të përditshëm me ata- deklaroi Artan Arsllani. Drejtor i Shtëpisë së kulturës.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që para nëntë viteve. Më 6 tetor të vitit 2010, ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska- Milevska kishte prezantuar zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhej të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014.

Kostoja e fazës së parë për ndërtimin e objektit ishte projektuar në13.5 milion euro ndërsa me fillimin e fazës së dytë dhe shpalljen e tenderit për rregullimin e brendshëm çmimi do të arrijë në 40 milion euro.

Qeveria e mëparshme përmes një konkluzioni i kishte kërkuar nga drejtuesit e institucionit që ti përmbahet mjeteve të përcaktuara prej 13.5 milion euro, por përkundër kësaj ata kanë kontraktuar marrëveshje bazuar në projektin themeltar të projektuar në 40 milion euro, e që mund të jenë edhe një nga arsyet për zvarritjen e punimeve të objektit.

Në biseda në nivelit qendror, është thënë se buxheti është shumë i madh dhe mundësisht të ndahet në një periudhë tre vjeçare, që të mos ketë pengesa në pagesë- tha Artan Arsllani.

26 milion eurot që janë paraparë për rregullimin e brendshëm të objektit do të paguhen gjatë tre viteve të ardhshme, që nënkupton se Qendra për kulturë do të ndërtohet në faza dhe nuk do të jetë gati deri në vitin 2021.

Pas vetëm dy muajsh, në këtë objekt do duhet të fillojë faza e dytë e ndërtimit, ajo e rregullimit të brendshëm, zërimit dhe i sallave. E njëjta fazë, sipas planifikimeve do duhej të përfundojë për një vit e gjysmë, por sipas drejtuesve të projektit, kjo fazë do të zgjas tre deri në katër vite shkaku se nga ana e Qeverisë është kërkuar që, meqë bisedohet për buxhet më të madh, të ndahet në tre pjesë.

Alsat më parë ka njoftuar se format si janë arritur marrëveshjet dhe procedura e tenderimit janë në procedurë hetimi nga policia financiare lidhur me zgjedhjen e modelit “çelësi në dorë” që nënkupton projektimin dhe ndërtimin e objektit në tërësi, model ky që sipas përvojave të furnizimeve publike është i rrallë.

Bashkim Sulejmani – ALSAT              

 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Qershor 16, 2019 15:33

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA