Qendrat i druhen decentralizimit

Desk
By Desk November 19, 2020 22:28

Qendrat i druhen decentralizimit

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet nga miratimi i Strategjisë nacionale, qeveria nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete, përveç propozim Ligjit për realizimin e interesit publik që Ministria e Kulturës e ka dorëzuar për miratim në Parlament. Drejtues të disa qendrave të kulturës pohojnë se pavarësisht se deri tani nuk është bërë asnjë përgatitje kanë rezerva sa i takon transferimit të kompetencave në nivel lokal, ndonëse janë skeptikë se një proces i tillë do të realizohet.

Me miratimin e ligjit të ri të kulturës që financimet me “interes nacional” do t’i shndërrojë në “interes publik”, pritet ndër të tjera që Qendrat e kulturës nga institucione në varësi të pushtetit qendror të kalojnë në atë lokal. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet nga miratimi i Strategjisë nacionale, ku procesi i decentralizimit institucional formulohej si një prej hapave kryesore për vetë decentralizimin e kulturës, qeveria nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete dhe asnjë përgatitje për këtë fazë, përveç propozim Ligjit për realizimin e interesit publik në kulturë që Ministria e Kulturës e ka dorëzuar për miratim në parlament. Drejtues të disa qendrave të kulturës pohojnë se deri tani nuk është diskutuar asgjë konkrete, përveç takimit të fundit në Ministrinë e Kulturës me drejtorë të institucioneve ku u është sugjeruar menaxhimi publiko-privat i godinave. Transferimi i kompetencave në nivel lokal është pritur me rezerva për një pjesë prej tyre, edhe pse janë skeptikë se një proces i tillë do të jetë i vështirë për t’u realizuar.

Hod Miftari, drejtor i Qendrës së Kulturës në Gostivar thotë se avantazhi në këtë situatë është linku i komunikimit, i cili do të thjeshtëzohet, si në rastin e miratimit të programit vjetor, për të cilën do të vendoset nga këshilli komunal. “Nuk besoj se qendrat nacionale do të kalojnë nën varësi të komunave, jo vetëm se nga Ministria nuk na është komunikuar asgjë, por edhe për faktin se në këtë formë qeveria do ta humbasë kontrollin ndaj projekteve që do të miratohen gjatë një viti. Edhe pse për ne si qendër është me interes një kalim i tillë, pasi gjithçka do ta zgjidhim në komunë, për pjesën tjetër do të jetë e vështirë dhe do të ketë gjithnjë ankesa për diskriminim në buxhet nga pakicat”, thotë Miftari. Me ligjin e ri dhe strategjinë nacionale, kërkohet formulimi i kritereve të qarta për përcaktimin e rrjetit të institucioneve publike, përkatësisht revidimin e rrjetit aktual të institucioneve nacionale. Disa prej tyre, thuhet në Strategji, do të transformohen sipas modeleve të ndryshme – do të kalojnë në nivel lokal, një pjesë do të rregullohen sipas principit të partneritetit publik-privat, të tjerat do të shndërrohen në qendra kulture të komunitetit, por do të ketë edhe institucione që do t’i jepen për t’u menaxhuar organizatave nga sektori i pavarur. Por nëse qendrat e kulturës do t’i kalonin komunave në këtë gjendje në të cilën janë, do të shndërroheshin në një ngarkesë të papërballueshme për to.

Në Qendrën e Kulturës në Tetovë procesin e decentralizimit e cilësojnë si një avantazh sa i takon komunikimit ndërinstitucional, por kompleks nëse kryhet pa u përfunduar rikonstruktimi i objektit. Pasi në këtë rast, qendra pa kushte optimale të funksionimit nuk do të ishte asgjë më shumë përveç se një ngarkesë për komunën dhe jo institucion profitabil dhe në shërbim të kulturës. “Është një çështje e ndërlikuar, pozitive për një aspekt dhe për një tjetër jo. Shkaku se objektet janë të vjetruara dhe është ngarkesë shumë e madhe. Sipas disa parallogaritjeve, për shembull, që ky objekt të jetë funksional duhet të shpenzohen përafërsisht 3 milionë euro, të cilat komuna e Tetovës s’do ishte në gjendje t’i sigurojë. Gjithashtu, edhe Programi vjetor i kulturës është i kufizuar dhe nuk i përmbush kërkesat e qendrës. Po nga ana tjetër, linku për qasje problemesh do ishte shumë me i lehtë, shkaku i decentralizimit të tillë”, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit, Artan Arsllani.

Disa vite më parë institucionet publike të kulturës u ndanë në nacionale dhe lokale, duke rritur artificialisht numrin e institucioneve nacionale dhe jo sipas mundësive dhe nevojave reale. Përmes buxhetit të Ministrisë së Kulturës, financohen 112 institucione, 63 prej të cilave kanë statusin nacional ( me mbi 2.700 punonjës), ndërsa të tjerat janë institucione lokale. Sipas analizave të bëra nga Ministria Kulturës, kemi të bëjmë me shpërndarje të zhdrejtë institucionale dhe kadrovike në kulturë. (koha.mk)

Desk
By Desk November 19, 2020 22:28