Qeveria akt normativ/ Të dënuarit që kanë më pak se 5 vite burg mund të lirohen për 3 muaj nëse…

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 23, 2020 22:26

Qeveria akt normativ/ Të dënuarit që kanë më pak se 5 vite burg mund të lirohen për 3 muaj nëse…

Qeveria ka botuar në fletoren zyrtare një akt normativ që kush i dënuar ka më pak se 5 vite burg mund të marrë leje të veçantë për 3 muaj.

Por, ai duhet që të plotësojë disa kritere.

PËR QËNDRIMIN E PËRKOHSHËM NË SHTËPI TË TË DËNUARVE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Neni 1

Objekti

Ky akt normativ ka për objekt përcaktimin e kushteve dhe të kritereve për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve, si një leje e veçantë, gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Neni 2

Qëllimi

Ky akt normativ ka për qëllim të marrë masa të përkohshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale si dhe mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë në sistem, nëpërmjet garantimit të kushteve për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të të dënuarve.

Neni 3

Përkufizime

Në kuptim të këtij akti normativ, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:a) “I dënuar”, çdo person, shtetas shqiptar, i huaj ose pa shtetësi, i dënuar me burgim me vendim gjyqësor penal të formës së prerë të gjykatave shqiptare ose i dënuar me vendim gjyqësor të dhënë nga gjykatat e huaja, të cilit i është njohur dhe konvertuar dënimi me vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare, dhe që vuan dënimin në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

b) “Qëndrimi i përkohshëm në shtëpi”, një leje e veçantë që i jepet të dënuarit për shkak të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, nëpërmjet të cilës i dënuari qëndron përkohësisht në shtëpinë e tij, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik, për ata të dënuar që përmbushin kriteret e parashikuara në këtë akt normativ.
c) “Sëmundje kronike e rrezikshme për jetën”, një sëmundje kronike, nga e cila vuan një i dënuar dhe që, e shoqëruar me ndikimin që infeksioni i shkaktuar nga COVID-19 mund të këtë mbi organizmin e të dënuarit, në rast se infektohet, mund të sjellë dëmtimin e rëndë të shëndetit ose humbjen e jetës të të dënuarit.
Neni 4

Kriteret për përfitimin e lejes së veçantë

I dënuari mund të përfitojë leje të veçantë qëndrimi të përkohshëm në shtëpi për një periudhë 3-mujore, në rast se në datën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ:
a) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të dyja kushtet e mëposhtme:i. I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në tre vjet burgim;ii. Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.
b) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të gjitha kushtet e mëposhtme:i. I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në pesë vjet burgim; ii. Është baras ose mbi moshën 60 vjeç; iii. Vuan nga një sëmundje kronike e rrezikshme për jetën, e vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi; iv. Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.
Periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, sipas përcaktimeve të këtij neni, përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.
Nëse gjatë periudhës së zbatimit të lejes së veçantë të qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, gjykata vendos ekzekutimin e vendimit të dënimit me një dënim alternativ, sipas parashikimeve të Kodit Penal, leja e veçantë, sipas këtij akti normativ, shfuqizohet.
Neni 5

Kriteret ndaluese për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi

Nuk përfitojnë leje të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi personat e dënuar për:
a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75, të Kodit Penal;
b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c të Kodit Penal, si dhe në nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak;
c) veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara nga neni 87, paragrafi dytë, i nenit 88, dhe paragrafi dytë, tretë dhe katërt, i nenit 89/a, të Kodit Penal; ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 107/a, 108 dhe 108/a, të Kodit Penal;
d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, 109/b dhe 110/a, të Kodit Penal;dh) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në nenet 128/b dhe 130/a, të Kodit Penal;e) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 136, 139, 140, 141, 151, 152, në paragrafin e dytë, të nenit 156, dhe në paragrafin e dytë, të nenit 159, të Kodit Penal;
ë) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225, të Kodit Penal;

f) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 233, 234, 234/a dhe 234/b, të Kodit Penal;
g) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 259, 260, 265/a, 265/b, 265/c, 278/a, 282/a, 283/a, 284/a, 319 dhe 319/ç, të Kodit Penal;
gj) vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.
Nuk përfiton leje të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi, i dënuari, i cili, pavarësisht se nuk është dënuar për një nga veprat penale të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, është në kushtet e mëposhtme:
a) Është në hetim ose është dënuar për një vepër tjetër penale gjatë qëndrimit në institucion; b) Ka marrë një masë disiplinore gjatë gjashtë muajve të fundit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për trajtimin e të dënuarve;
c) Paraqet rrezikshmëri shoqërore ose ka pasoja për rendin dhe sigurinë publike;
ç) Nuk ka një banesë ose familjarët e tij nuk japin pëlqimin për të qëndruar në të njëjtën banesë, gjatë periudhës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi.

Neni 6

Procedura e përfitimit të lejes së veçantë

Vlerësimi i kushteve dhe i kritereve për përfitimin e lejes së veçantë të qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, në përputhje me parashikimet e neneve 4 dhe 5, të këtij akti normativ, kryhet fillimisht nga komisionet për vlerësimin e kushteve dhe të kritereve në çdo IEVP (Komisioni i IEVP). Komisioni i IEVP-së përbëhet nga drejtori i institucionit përkatës, shefi i policisë së burgut, përgjegjësi i sektorit ligjor, përgjegjësi i sektorit të çështjeve shoqërore dhe përgjegjësi i sektorit të kujdesit shëndetësor. Ngritja si dhe rregullat për organizimin dhe funksionimin e çdo komisioni në IEVP përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
I dënuari paraqet kërkesën për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi së bashku me formularin e marrjes së përgjegjësisë si dhe familjarët e tij japin pëlqimin për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarit. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve miraton me urdhër formularët tip për paraqitjen e kërkesës, marrjen e përgjegjësisë dhe dhënien e pëlqimit për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarit.
Komisioni i IEVP-së vlerëson kërkesën për përfitimin e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga paraqitja e kërkesës të të dënuarit në institucion. Në rast se komisioni vlerëson që i dënuari i përmbush kushtet për përfitimin e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, i propozon drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve miratimin e lejes së veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi. Në rast të kundërt, Komisioni i IEVP-së refuzon miratimin e saj.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, kur çmon që propozimi i Komisionit të IEVP-së është në përputhje me këtë akt normativ, brenda 3 (tre) ditëve nga marrja e propozimit të Komisionit të IEPV-së, së bashku me dokumentacionin përkatës, miraton lejen e veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi. Në urdhrin e lejes së veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi përcaktohen data e fillimit dhe data e përfundimit të lejes së veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi. Urdhri i njoftohet menjëherë strukturës vendore të Policisë së Shtetit, në bashkinë ku ka vendbanimin i dënuari.
Në rast se drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve çmon që propozimi i Komisionit të IEVP-së është në kundërshtim me këtë akt normativ, i kërkon Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve rivlerësimin e kërkesës për përfitimin e lejes së veçantë. Vendimi i Komisionit të posaçëm për miratimin e lejes së veçantë merret brenda 3 (tre) ditëve dhe është i detyrueshëm për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Në këtë rast, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve miraton menjëherë me urdhër lejen e veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi.
Në rast se, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, nuk është deklaruar përfundimi i gjendjes së epidemisë nga autoritet përgjegjëse, sipas parashikimittë legjislacionit në fuqi për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe të sëmundjeve ngjitëse, periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi të subjekteve përfituese të lejes së veçantë zgjatet me 3 (tre) muaj të tjerë.
Neni 7

Komisioni i Posaçëm i Shqyrtimit të Ankimeve

Në rast se një të dënuari, i cili plotëson kriteret për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi, i është refuzuar miratimi i kësaj lejeje të veçantë nga Komisioni i IEVP-së, i dënuari ose përfaqësuesi ligjor i tij mund të paraqesë ankim pranë Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e marrjes së vendimit.
Komisioni i Posaçëm ka në përbërje, si më poshtë vijon:a) Një përfaqësues të ministrit të Drejtësisë, të caktuar nga ministri, i cili kryeson komisionin;b) Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve;c) Drejtorin e Policisë së Burgjeve;ç) Një përfaqësues të Policisë së Shtetit, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;d) Përgjegjësin e sektorit të shëndetësisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;dh) Përgjegjësin e sektorit ligjor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;e) Përgjegjësin e sektorit të çështjeve shoqërore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Ngritja si dhe rregullat për organizimin e funksionimin e Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Komisioni i Posaçëm i Shqyrtimit të Ankimeve e shqyrton ankimin e paraqitur nga i dënuari ose kërkesën për rivlerësimin e propozimit për miratimin elejes së veçantë, sipas parashikimit të pikës 5, të nenit 6, të këtij akti normativ, jo më vonë se 3 (tre) ditë nga data e marrjes së kërkesës
Vendimi i Komisionit të Posaçëm për Shqyrtimin e Ankimeve për refuzimin e ankimit të të dënuarit mund ankimohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Neni 8

Detyrimet gjatë qëndrimit të përkohshëm në shtëpi

I dënuari, gjatë kohës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi me leje të veçantë, është i detyruar që:a) të mos largohet nga shtëpia, pa miratimin paraprak të strukturës vendore të Policisë së Shtetit;b) të mbajë kontakte të rregullta me strukturën vendore të Policisë së Shtetit, në bashkinë ku ka vendbanimin;c) të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë;ç) të zbatojë masat e veçanta për parandalimin e sëmundjeve infektive të miratuara nga autoritetet përgjegjëse shtetërore;d) të paraqitet, në datën e përfundimit të periudhës qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, ku po vuante dënimin.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me propozimin e Policisë së Shtetit, të prokurorit përkatës, të strukturave përgjegjëse për parandalimin e sëmundjeve infektive ose çdo organi tjetër publik, mund të shfuqizojë lejen e veçantë me qëndrimin të përkohshëm në shtëpi, në rast se i dënuari nuk zbaton detyrimet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, ose kur i dënuari kryen një vepër tjetër penale. Me marrjen e njoftimit të shfuqizimit të lejes së veçantë me qëndrim të përkohshëm në shtëpi, i dënuari kthehet në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, ku po vuante dënimin.
Pavarësisht parashikimit të pikës 2, të nenit 4, të këtij akti normativ, koha e qëndrimit në shtëpi e të dënuarit, të cilit i është shfuqizuar leja e veçantë, sipas përcaktimit të pikës 2, të këtij neni, nuk njihet si periudhë e vuajtjes së dënimit.
Neni 9

Detyrimi për t’u kthyer në përfundim të periudhës së qëndrimit të përkohshëm

Moskthimi në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, pas përfundimit të periudhës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi ose pas shfuqizimit të saj, përbën shkak për fillimin e procedimit penal, sipas parashikimeve të nenit 323, të Kodit Penal.
Pas përfundimit të periudhës së qëndrimit të përkohshëm, përpara pranimit në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, i dënuari i nënshtrohet analizave të nevojshme mjekësore për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale.
Neni 10

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR

Edi Rama

Top Channel

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 23, 2020 22:26