Qeveria distancohet nga zhvillimet në BFI
Kryeministri Zoran Zaev tha se nuk do të komentojë për ngjarjet e fundit në BFI, duke u thirrur në karakterin sekular të shtetit. Por zëvendëskryeministri Bujar Osmani vendimin e gjykatës e quan skandaloz, duke potencuar se BFI është institucion i pavarur dhe autonom.
Nuk do të lejoj të bëjë komente. Shteti ka karakter sekular. Puna e Reisit është të jetë në shërbim të qytetarëve. Kisha mundësinë të lexoj verdiktin e gjykatës, i cili është publik dhe ajo më jep të drejtë të komentoj, por nuk do ta bëj diçka të tillë, sepse do të quhej përfshirje e politikës”-tha Zoran Zaev- kryeministër.
Ka qenë vendim skandaloz dhe i turpshëm i strukturave këtu, përfshirë edhe gjykatën për të emëruar ushtrues detyre Reis që është absolutisht kompetencë e organeve të Bashkësisë Fetare Islame. Pavarësia dhe autonomia e Bashkësisë Fetare Islame është e garantuar me Kushtetutë dhe shteti dhe institucionet janë të obliguara të garantojnë këtë autonomi dhe pavarësi”-pohoi Bujar Osmani- zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Nga ana e VMRO-DPMNE-së thonë se këto zhvillime në BFI orkestrohen nga pushteti me qëllim që të shpërqendrojnë opinionin nga rezultati i dobët në zgjedhjet presidenciale.
Të përballur me rejtingun katastrofal ata përpiqen plotësisht me të gjitha mjetet e pushtetit të ndikojnë ndaj çdo individi. Presionet vazhdojnë edhe pse apeluam që të mos e bëjnë diçka të tillë. Çdo ditë kemi presione, kërcënime, shantazhe me të gjitha mënyrat po tentojnë të mbulojnë turpin dhe rezultatin negativ”-theksoi Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
Aleanca për Shqiptarët e dënon përfshirjen e politikës në Bashkësinë Fetare Islame duke bërë thirrje institucioneve për zbardhjen e plotë të rastit, por gjithashtu dënohet edhe fakti i përmendur nga kreu i BFI-së se ka një kohë të gjatë ka qenë i instrumentalizuar nga politika.
Kreu i BFI-së dëshmoi me gojën e tij se paska qenë i instrumentalizuar nga politika një kohë të gjatë dhe si i tillë nuk e meriton të mbaj më pozicionin që ka. Ndërsa vendimi i gjykatës ndërmjet dy cikleve zgjedhore bën të dyshosh se përsëri qëllimi është instrumentalizimi për qëllime politike i këtij institucioni. Aleanca për Shqiptarët insiston që rasti të zbardhet dhe opinioni te informohet drejt!”-thonë nga Aleanca Për Shqiptarët.
Edhe parittë tjera politike kanë reaguar lidhur me përpasjet në BFI duke kërkuar që politika dhe pushteti të mos ndërhyjnë në punën e këtij institucioni fetar.