Qeveria e qumështit dhe mishit!

Desk
By Desk November 18, 2020 20:08

Qeveria e qumështit dhe mishit!

Qeveria më 9 nëntor ka lidhur dy kontrata të ndara në vlerë totale prej 27 mijë 199 euro për furnizim me qumësht dhe produkteve të qumështit. Ndërsa në muajin mars, për nevojat e Qeverisë janë kontraktuar marrëveshje për furnizim me mish me vlerë  prej 62.000 euro. Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se në kohë kur qytetarët po përballen me pasojat ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19, ky është një veprim i pamatur i Qeverisë së Zaevit.

Zyra për çështje të përgjithshme dhe të përbashkëta e Qeverisë së Maqedonisë ka lidhur dy kontrata të ndara në vlerë totale prej 27.199 euro për furnizim me qumësht dhe produkteve të qumështit. Të dy marrëveshjet janë nënshkruar me Shoqatën për blegtori, bujqësi dhe tregti “Gjorgievi dooel” më 9 nëntor, dhe në emër të Qeverisë është nënshkruar Pece Mirçeski. Sipas marrëveshjeve, zyrtarët qeveritarë do të konsumojnë mocarela me çmim prej 715 denarë/kilogram pa TVSH, por edhe të ashtuquajturën “djathë blu”, çmimi i njësisë së tij për kilogram është 735 denarë pa TVSH. Kjo nuk është hera e parë që Zyra për çështje të përgjithshme dhe të përbashkëta e Qeverisë nënshkruan kontrata të mëdha ushqimore, në kohën kur vendin seriozisht e ka goditur kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga Covid-19. Në muajin mars, për nevojat e Qeverisë janë kontraktuar marrëveshje për furnizim me mish me vlerë prej 62.000 euro.

Profesori universitar Bashkim Selmani thekson se ky veprim i Qeverisë dëshmon se që nga fillimi i pandemisë, Qeveria nuk ka arritur të krijojë strategji të veçantë për shpenzimet dhe nevojat emergjente. “Nëse analizohet gjendja e përgjithshme dhe rasti i fundit kur Qeveria, në kohë pandemie, më 9 nëntor ka nënshkruar marrëveshje për furnizim të Qeverisë me djathë dhe produkte qumështi me vlerë prej 27 mijë euro, dëshmon se që nga fillimi i pandemisë nuk krijoi strategji të veçantë për shpenzimet dhe nevojat emergjente, si ato publike, dhe për çfarë kanë nevojë financiare emergjente qytetarët. Nëse merret parasysh borxhi publik, do të shihet se këto investime nuk kanë zgjidhur probleme afatgjate, por përkundrazi akoma më shumë kanë rënduar gjendjen edhe ashtu të rëndë ekonomike”, deklaroi për KOHA, Selmani.

Në anën tjetër, juristi Qenan Aliu thotë se funksionimi i shtetit si aparat ka shumë shpenzime, por megjithatë, ato detyrimisht duhet bërë në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore. “Shpenzimi i parasë publike duhet bërë në mënyrë racionale dhe modeste, sepse janë para publike, të taksapaguesve, qytetarëve të këtij vendi. Furnizimet nuk duhet të jenë kontestues, por patjetër të jetë në përputhje me ligjin dhe të arsyeshme”, nënvizon Aliu. Ndryshe, gjendja me krizën shëndetësore dhe ekonomike në vend si pasojë e virusit Korona, dita ditës po përkeqësohet, ndërsa qytetarët po përballen me probleme të natyrave të ndryshme ekzistenciale. (koha.mk)

Desk
By Desk November 18, 2020 20:08