Qeveria gjermane, Kurtit: Asociacioni të jetë pjesë e dialogut, ndalo gjobitjen për targat

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 23 Nëntor, 2022 20:24

Qeveria gjermane, Kurtit: Asociacioni të jetë pjesë e dialogut, ndalo gjobitjen për targat

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, ka bërë thirrje që grindja për targat të mos e pengojë dialogun e normalizimit. Qeveria gjermane është shprehur e zhgënjyer të mërkurën që takimi Kurti – Vuçiq në fillim të javës nuk prodhoi një marrëveshje për targat.

“Qeveria gjermane është e zhgënyjer që kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk arritën të hënën të bien dakord për një zgjidhje të krizës aktuale”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, të mërkurën pasdite në konferencën e rregullt për shtyp të qeverisë gjermane, duke iu përgjigjur kështu një pyetjeje të Deutsche Welles.

“Bisedimet me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Borrell, por edhe me Lajçakun, për targat e vjetra serbe në Kosovë përfunduan pa rezultat”, shtoi ai.

Hebestreit e përshëndeti faktin që Kurti e shtyu afatin për marrjen e masave ndëshkuese dhe bëri thirrje që kjo kohë të shfrytëzohet për arritjen e një zgjidhjeje.

“Është mirë që qeveria në Kosovë ka vendosur që t’i pezullojë për 48 orë masat ekzekutive, pra vendosjen e gjobave, Është me rëndësi që kjo periudhë të shfrytëzohet për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme në këtë mosmarrëveshje, çka do të sillte edhe shpërshkallëzim të situatës.”

Steffen Hebestreit, zëdhënës i qeverisë gjermane

Hebestreit apeloi te qeveria e Kosovës që të mos vërë gjoba në këtë periudhë.

“Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë asnjë masë ekzekutive që ka të bëjë me shkëmbimin e targave, në mënyrë që të mos pengohet një zgjidhje e qëndrueshme.”

“Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është urgjent”.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane më tej vuri në dukje domosdoshmërinë e arritjes sa më shpejt të një marrëveshjeje në dialog. “Përshkallëzimi aktual tregon edhe një herë se sa urgjent është progresi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy shteteve.”

Hebestreit shtoi më tej se Gjermania e mbështet dialogun e drejtuar nga Borrell dhe Lajçak.

“Qeveria Federale mbështet përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për punët e jashtme dhe të të dërguarit të posaçëm Lajçak, për të harmonizuar dialogun mes këtyre dy vendeve në këtë çështje.” Dhe shtoi: “Apeli ynë për qeveritë e të dy vendeve është që të angazhohen në mënyrë konstruktive për këtë çështje”. Sipas qeverisë gjermane, në axhendën e dialogut duhet të hyjë edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”. Këtë të fundit qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri tani.

E ndodhur nën trysninë e SHBA-së dhe BE-së,qeveria e Kosovës e pat shtyrë të hënën edhe për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, vendimi parashihte nisjen e gjobitjes së shoferëve që qarkullojnë me targa ilegale. Përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë ndodhen aktualisht në Bruksel për të gjetur një zgjidhje të mundshme për të dalë nga kriza aktuale. /DW/.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 23 Nëntor, 2022 20:24

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare