Qeveria: Kemi çmime më të ulëta në rajon, ndryshimi i akcizës së naftës nuk ka efekt negativ

Desk
By Desk April 28, 2020 19:33

Qeveria: Kemi çmime më të ulëta në rajon, ndryshimi i akcizës së naftës nuk ka efekt negativ

Kemi çmime më të ulëta të derivateve të naftës në rajon dhe çmim më të ulët në 10 vitet e kaluara, ndërsa ndryshimi i çmimit të akcizës nuk ka kurrfarë ndikimi negativ ndaj veprimtarisë transportuese, bëri të ditur sot Qeveria.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e njeh të drejtën demokratike të protestës të të gjithë qytetarëve në vend, por e informon opinionin se çmimi i akcizës së naftës nuk shkaktoi kurrfarë goditje në çmime, përkundrazi, kemi çmim më të ulët të naftës në rajon dhe çmim më të ulët në 10 vitet e kaluara. Të gjitha mjetet nga rritja e akcizës së naftës shkojnë në Buxhet për ballafaqim me virusin korona për mbështetje,për financim të masave për mbështetje të biznesit dhe për masat sociale për mbështetje të qytetarëve”, bëri të ditur pres-shërbimi qeveritar.

Theksojnë se çmimi i akcizës është definuar në bazë të analizave të cilat treguan se ndryshimi i çmimit është jo aq i rëndësishëm në krahasim me rënien e çmimit të naftës nga janari deri më sot.

Prej atje shtojnë, nëse bëhet krahasim i çmimit të dizelit në 10 vitet e kaluara në ditë të sotme, mund të vërehet se në vitin 2020 kemi çmim më të ulët të dizelit në krahasim me të gjitha vitet prej vitit 2010 e deri më sot.

“Kompanitë nga veprimtaria transportuese janë të mbështetura edhe përmes Bankës Zhvillimore me masat anti krizë, me çka nga kreditë e lejuara pa interes, 2,1 milionë euro janë lejuar pikërisht për kompanitë në veprimtarinë transportuese. Për shkak të këtyre fakteve, zërat se rritja e akcizës do të reflektojë negativisht në çmimet dhe se do të pësojë veprimtaria transportuese, ose veprimtaritë tjera që kanë lidhje me karburantet e naftës, janë financiarisht të paarsyeshme dhe të pabaza”, theksojnë nga Qeveria.

Në kushte kur çmimi i naftës ka rënë për 20 denarë, precizojnë, rritje e akcizës prej tre denarë si masë antikrizë është e arsyeshme dhe nuk do të reflektojë në çmimet e shërbimeve transportuese. (koha.mk)

Desk
By Desk April 28, 2020 19:33