Qeveria: Kurti e informoi shefin e NATO-s se reciprociteti u koordinua me ndërkombëtarët

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 20:34

Qeveria: Kurti e informoi shefin e NATO-s se reciprociteti u koordinua me ndërkombëtarët

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për bisedën telefonike mes kryeministrit Kurti dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Me anë të një komunikate për media, Qeveria tha se kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se qytetarët e Kosovës janë informuar mirë për masat në ardhje, dhe se masat janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe që zbatimi i tyre është koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.

“Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia. Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë”, u tha tutje në komunikatë.

“Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin”, tha qeveria në njoftim.

Sipas Qeverisë, Stoltenberg e siguroi Kryeministrin Kurti për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. /Lajmi.net/

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 20:34