Qeveria luan me nervat e pensionistëve

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 18 Shtator, 2023 21:28

Qeveria luan me nervat e pensionistëve

Edhe pas 45 ditësh nga protesta e pensionistëve, qeveria është ende në debat, por pa masa konkrete për përmirësimin e statusit social të qytetarëve të moshës së tretë. Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale shpreson që pas mbledhjes të grupit punues më në fund të dalin disa propozime që do t’i prezantohen publikut, përcjell FLAKA.

“Tani të gjitha institucionet po debatojnë se cila është gjendja reale në vend. Të dhënat e nevojshme ndahen në grupin e punës që t’i qasemi krijimit të masave sociale për pensionistët me pensione të ulëta. Kështu që pres që deri në fund të muajit të kemi propozime konkrete që do t’i prezantojmë para mediave dhe pensionistëve”, tha ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Jovanka Trençevska.

Pensionistët nga mbarë vendi po protestojnë çdo ditë në rrugë për gati një muaj e gjysmë, ndërsa në të njëjtën kohë kërkojnë edhe dorëheqjen e Trençevskës. Ata nuk devijojnë nga kërkesa e tyre, rritje lineare prej 3500 denarë. Propozimi i qeverisë prej 6% është i papranueshëm për ta.

“Të shohin të gjithë autoritetet në vendin tonë, mbi të gjitha ministria, Qeveria, Shoqata e Pensionistëve që ne në këtë mënyrë po e shprehim pakënaqësinë tonë. Deri tani nuk kemi hasur në një mirëkuptim. Ne nuk duam rritje prej 6%, por kërkojmë rritje lineare prej 3500 denarë për të gjithë pensionistët”, tha Trajçe Stamenov, pensionist nga Sveti Nikolla.

“Pse nuk solidarizohen dhe thonë se ne do të japim një rrogë për këtë popull. 30.000 euro secili që marrin për t’i dhënë këtij populli që qëndron këtu në rrugë. T’i ndihmojmë, të mos jenë në rrugë”, tha Blagoj Cvetkov, pensionist nga Sveti Nikolla.

Në Maqedoni ka mbi 330.000 pensionistë dhe një e treta e tyre e mbijetojnë muajin me pension minimal nën 12.000 denarë. Të mërkurën, pakënaqësia e tyre do të kulmojë me një protestë masive në Shkup, ku pritet të mbërrijnë mbi 100 mijë pensionistë nga mbarë vendi. FLAKA

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 18 Shtator, 2023 21:28
  • Ndiqeni faqen tonë në Facebook për lajmet më të fundit dhe për prodhimet tona më të reja multimediale.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Instagram me përmbajtje të veçantë dhe informuese – fotogaleri, video dhe infografika.
  • Abonohuni në kanalin tonë në Youtube për videove ekskluzive nga të katër anët e globit.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Twwiter për t’u informuar vazhdimisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.