Qeveria teknike/Spasovski kryeministër, Carovska zv.kryeministre

Desk
By Desk December 27, 2019 20:35

Qeveria teknike/Spasovski kryeministër, Carovska zv.kryeministre

Presidenti Stevo Pendarovski për KOHA ka deklaruar se nuk ka logjik zgjedhjet të shtyhen pasi ato janë caktuar në vetëm disa muaj nga afati i rregullt si dhe ajo se do të prishte planifikimet e bashkësisë së biznesit.

LSDM-ja në pushtet vlerëson se 12 prilli si datë e dakorduar te Presidenti i vendit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mund të vihet në pikëpyetje, për shkak të prolongimit të miratimit të disa ligjeve në Parlament e që për pushtetin janë shumë të rëndësishme. Bazuar në këtë kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se mund të refuzoj të jap dorëheqje nëse nuk miratohen ligjet të cilat janë në procedurë parlamentare. Në anën tjetër opozita ka akuzuar se bëhet fjalë për një skenarë të anulimit të zgjedhjeve, për arsye se siç thonë nga VMRO-DPMNE-ja, pushteti frikësohet nga përballja me popullin.

“Zgjedhjet janë dakorduar dhe ato duhet të mbahen më 12 prill. Unë jam i pari që dua të kemi kujdes për këto procedura, por nëse lejohet opozita në mënyrë të dukshme në Parlament të gjen mënyra, ndërsa ka të drejtë sipas Rregullores, t’i bllokojë ligjet për paga dhe pensione më të larta, për realizmin e projekteve shtetërore të cilat kanë rëndësi jetike për qytetarët, këto janë arsye serioze të bisedojmë edhe për shtyrjen e zgjedhjeve”, deklaroi Zaev. Por, shton kryeministri, nuk do të lejojmë interesi i shtetit të sillet në pyetje për arsye se ndonjë ka agjendë të fshehur e cila “mund të jetë madje edhe legjitime vetëm nëse nuk është në dëm të shtetit dhe qytetarëve”. Zaev potencoi se një pjesë e madhe e këtyre ligjeve miratimin e të cilave, sipas tij, e bllokon opozita, duhet të miratohen në dhjetor sepse kanë lidhje me Buxhetin që të mund implementimi i tyre të fillojë në janar.

Në kontekst të Qeverisë teknike, e cila duhet të formohet 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve më 12 prill, sipas Zaevit, ministri aktual i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski është një prej zgjidhjeve adekuate për kryeministër teknik. Për atë nëse Spasovski është propozim i tij, Zaev tha se këtë do t’ia tregoj organit që vendos, pas së cilës edhe qytetarëve do t’u kumtojë cili është propozimi i tij dhe cili është vendimi i organit të partisë. Ministri Spasovski poashtu ka thënë se duhet të tejkalohen dallimet rreth bllokimit të miratimit të ligjeve në Parlament dhe në këtë rast nuk kemi problem që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill. Shteti, porositi ministri, nuk duhet të ketë problem me “bllokim” të Parlamentit dhe mosmiratimit të ligjeve të cilat janë në interes të qytetarëve. Siç plotësoi ministri i Punëve të Brendshme, marrja e vendimit përzgjedhjet ishte pikërisht përcaktuar nga qasja jonë në NATO, mbi bazë të të gjitha analizave midis partive politike, si dhe se do të përmbushet kushti për anëtarësim zyrtar të shtetit në Aleancë.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani theksoi se është optimist se do të tejkalohet situata në Parlament dhe se nuk do të ketë nevojë për shtyrje të zgjedhjeve të caktuara për më 12 prill të vitit të ardhshëm. “Është herët të bisedojmë për pozita të tilla ekstreme sepse ende jemi në fazë të koordinimit mes partive politike.

Koordinimi i tillë zhvillohen edhe me LSDM-në, me VMRO-DPMNE-në dhe e BDI-në për atë si të tejkalohet kjo bllokadë në miratimin e ligjeve në Parlament deri në fund të këtij viti. Mendoj se partitë do t’i tejkalojnë këto pozita partiake dhe do të gjejmë mënyrë si ta përfundojmë këtë agjendë të Parlamentit sivjet dhe të vazhdojmë sipas marrëveshjes që është arritur për mirëmbajtjen e zgjedhjeve në muajin prill”, theksoi Osmani.

Presidenti Stevo Pendarovski për KOHA ka deklaruar se nuk ka logjik zgjedhjet të shtyhen pasi ato janë caktuar në vetëm disa muaj nga afati i rregullt si dhe ajo se do të prishte planifikimet e bashkësisë së biznesit. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski lidhur me anulimin e mundshëm të zgjedhjeve, ka thënë se Zaevi punon në skenarin për shtyrjen e zgjedhjeve, prandaj frikësohet nga zgjedhjet dhe përballja me popullin.

TAKIMI I LIDERËVE, JO I PLOTË PA OPOZITËN SHQIPTARE

Ndërkohë, që gjatë fundjavës është paralajmëruar takim liderësh, mes liderit të LSDM-së dhe kryeministrit Zoran Zaev, VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit dhe atij të BDI-së, Ali Ahmeti, ku do të bisedohet për qeverinë teknike, e cila duhet të formohet sipas normave të Marrëveshjes së Përzhinës, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të dakorduara parlamentare me 12 prill. Në këtë tryezë nuk është ftuar opozita shqiptare. Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, takimin e paralajmëruar e quajnë bilateral. “Nuk është takim liderësh por është takim bilateral i Mickoskit me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti”, deklaroi për KOHA, Elmedin memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Edhe ASH-ja e Ziadin Selës ftesë për takimin e së shtunës nuk ka pranuar, dhe ky veprim sipas tyre, përveç që është i papranueshëm për to si parti, është i papranueshëm edhe për shqiptarët. “ASH dhe lideri i saj, Ziadin Sela nuk ka pranuar ftesë për këtë takim, ky veprim përveç që është i papranueshëm për ne si ASH është i pa pranueshëm edhe për shqiptarët opozitar të cilët tash më janë shumicë. Precedentë të këtill ku nuk përfaqësohet opozita shqiptare për çështje të rëndësishme janë të rrezikshme dhe shtojnë më tepër mosbesimin në politikbërjen e kësaj shumice. Ky takim midis Zaevit, Mickoskit dhe Ahmetit rrit edhe më tej dyshimet se vendimet që mund të dalin nga ky takim mund të jenë vendime si rezultat i pazareve te tyre për interesa personale apo grupore e asesi në interes të qytetarëve dhe shqiptarëve në veçanti”, deklaroi për KOHA, nënkryetari i ASH-së, Remzi Mehmedi. Nga ASH potencojnë se nuk dinë epilogun e takimit por nëse pas këtij takimi fshihet midis tjerash edhe shtyrja eventuale e zgjedhjeve të caktuara për datë 12 Prill atëherë kjo për ASH është absolutisht e papranueshme.

DAKORDIMI DHE TËRHEQJA NGA ZGJEDHJET ÇËSHTJE SERIOZE

Për analistin politik Eroll Rizaov, është e habitshme që zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë dakorduar në takim liderësh te Presidenti, Pendarovski. “Për mua ishte shumë e habitshme që pse duhet të dakordohen zgjedhjet te Presidenti i shtetit. Zgjedhjet mund të shpallen, të rregullta ose të parakohshme në Parlament, me marrëveshje kuptohet mes partive politike. Kjo mendojë se është një minus në atë reagimin emotiv që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për arsye se vitit 2020 edhe ashtu është vit i zgjedhjeve. Zgjedhjet duheshe të mbahen ose në datën e rregullt ose siç ishte paralajmëruar diku në tetor, për arsye se agjenda edhe në planin e brendshëm edhe të jashtëm është shumë e ngjeshur. Tash dakordimi për zgjedhje dhe tërheqje nga ato, kjo nuk është një fotografi e mirë për opinionin nga njërën anë, dhe nga ana tjetër presioni me bllokimin e Parlamentit është një çështje shumë serioze. Kjo në një mënyrë është një gjendje e jashtëzakonshme. Të bllokohet puna e Parlamentit në periudhë parazgjedhore është një praktik e keqe”, deklaroi për KOHA, Rizaov. Sipas tij, nëse ka vullnet politik mund të mbahen ato zgjedhje, kuptohet se kur do të mbahen është çështje e partive politike. “Ato që kanë 61 vota në Parlament mund të shpallin zgjedhje. Pse duhet të grisim tensione. Nëse opozita, VMRO-DPMNE, BDI dhe partitë tjera dakordohen ato mund të votojnë shpërbërjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve në çdo moment. Pra bëhet fjalë për praktik të re, të dy anshme, të keqe e cila po aplikohet në Maqedoni, vetëm që të tregojnë edhe njëra, edhe pala tjetër se ato janë fitues, pasi që trupi votues në Maqedoni gjithnjë rreshtohet kah fituesi”, shprehet Rizaov. Duke folur për takimin e paralajmëruar të liderëve në temë “Qeveria teknike”, Rizaov thotë se liderët para opinionit do të deklarohen pas takimit se janë marrvesh, por më pas do të vazhdojnë përsëri të bëjnë obstruksione.

BDI MBANË PRIMATIN E TË “FORTIT” TE SHQIPTARËT

Lidhja Socialdemokrate (LSDM) dhe lideri i saj dhe kryeministri aktual Zoran Zaev janë më të famshmit mes qytetarëve, tregon anketa më e re e Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN) dhe Institutit për demokraci “Societes civilis” – Shkup (IDSCSH) në vigjilje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që duhet të mbahen në prill të vitit 2020. Në pyetjen “nëse nesër mbahen zgjedhje parlamentare, për cilën parti politike do të votonin”, 22,1 për qind e të anketuarve ja në prononcuar për LSDM-në qeveritare, e çka partia ka udhëheqje të butë para VMRO-DPMNE-së opozitare, për të cilën kanë thënë se do të votojnë 20,4 për qind e të anketuarve. Në vend të tretë është BDI-ja me rejting prej 6,6 para Aleancës për Shqiptarët me 2,6 për qind, E Majta me 1,7 BESA me 1,5 për qind, PDSH-ja me 0,9 për qind dhe Alternativa me 0,8 për qind. Dy për qind e të anketuarve në hulumtim kanë deklaruar se do të përgjigjem për ndonjë parti tjetër. Gjithsej 13,8 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk e dinë se për kë do të votojnë 12,6 për qind kanë thënë se nuk do të dalin në votim, 2,8 për qind se do ta prishin fletëvotimin, ndërsa 12,2 për qind kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjen. Ndryshe, të mërkurën Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive në bashkëpunim me Nismën për një njësi zgjedhore ka mbajtur seancë të hapur rreth Propozim ligjit për ndryshimin e Kodit zgjedhor dhe Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor. Është e sigurt se Kuvendi me këtë përbërje dhe para këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk do të votojë ndryshime të modelit zgjedhor. (koha.mk)

Desk
By Desk December 27, 2019 20:35