QMBI: Qeveria nuk po i mer masat e duhura ekonomike

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 24, 2020 21:01

QMBI: Qeveria nuk po i mer masat e duhura ekonomike

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) po ndjek me shqetësim gjendjen e krijuar kohëve të fundit edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si pasojë e paraqitjes së virusit COVID-19, tashmë i përhapur në gjithë botën dhe shpallur si sëmundje pandemike.

Në këtë drejtim, është për t’u përshëndetur, në rend të parë, kontributi i punëtorëve shëndetësor në përballimin e kësaj sëmundje dhe për t’u gjetur pranë personave të infektuar me këtë virus. Po ashtu, edhe angazhimi që po bëjnë të gjitha institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike për zbutjen e situatës së krijuar.

Për fat të keq, bie në sy jo-serioziteti dhe papërgjegjësia e një numri të qytetarëve, posaçërisht në respektimin e pamjaftueshëm të rekomandimeve shëndetësore dhe institucionale për mbrojtje sa më të suksesshme nga virusi COVID-19. Duke pasur parasysh peshën e elementit shëndetësor në këtë fazë të paraqitjes së virusit, vlerësojmë se institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin veprime më rigoroze kundër të gjithë atyre që nuk i respektojnë masat e ndërmarra dhe kufizimet e përcaktuara, me çka cenojnë sigurinë publike dhe shëndetin e njerëzve të tjerë, në përputhje me gjendjen e jashtëzakonshme tanimë të shpallur nga kryetari i shtetit.

Meqë gjendja e krijuar me gjasë do të vazhdojë për një periudhë më të gjatë kohore, me të drejtë ngriten edhe shqetësimet për pasojat në rrafshin ekonomik dhe nevojën e mbështetjes së familjeve dhe kompanive private të goditura më së shumti nga kriza e shkaktuar si pasojë e pandemisë. Për fat të keq, masat e ndërmarra ekonomike nga Qeveria e RMV, para disa ditëve, nuk janë të mjaftueshme për mbështetjen e kategorive më të goditura, posaçërisht familjeve nevojtare dhe sektorit privat. Padyshim që ka nevojë për një analizë të hollësishme dhe vendime më të guximshme për zbutjen e pasojave ekonomike që gjithsesi do të lë pas vetes kjo krizë e rëndë. Dhe sigurisht që zgjidhja më e mirë në këtë drejtim nuk është në zvogëlimin e pagave mujore të sektorit publik, por përmes sigurimit të burimeve tjera materiale për këtë qëllim, në rend të parë të fondeve ndërkombëtare dhe ri-shpërndarjes së mjeteve buxhetore.

Për ta ruajtur unitetin më se të nevojshëm në këtë gjendje krize dhe gjetjen e modaliteteve më të mira për zbutjen e pasojave të të gjitha llojeve, në rend të parë të atyre shëndetësore dhe ekonomike, bëjmë thirrje që të gjithë hapat e nevojshëm të ndërmerren me konsensus sa më të gjerë të mundshëm të subjekteve politike, pozitë e opozitë, duke i ikur kështu përfitimeve të cekëta politike në llogari të interesit të përgjithshëm.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 24, 2020 21:01