Qytetarët punojnë vetëm për përmbaruesit

Desk
By Desk 12 Prill, 2019 19:08

Qytetarët punojnë vetëm për përmbaruesit

Në 11 vitet e kaluara apo në periudhën 2006-2017, përmbaruesit kanë paguar 1 miliardë e 34 milionë euro nga qytetarët dhe bizneset për borxhet e ndryshme. Se sa të holla qarkullohet në këtë aktivitet , tregojnë edhe faktet se vetëm në vitin 2017, përmbaruesit kanë paguar 166 milionë euro, ndërsa në fund të vitit 2018, sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Bankës Popullore, në shtet kanë qenë të bllokuara 82.029 xhirollogari të qytetarëve dhe 29.027 të bizneseve. Raporti i fundit i punës së Odës së Përmbaruesve tregon se në 2017, në emër të kompanive – janë paguar “dhunshëm” 147 milionë euro, në emër të qytetarëve janë paguar 16.5 milionë euro dhe në emër të shtetit janë paguar afër 3 milionë euro.

Përmbaruesit këtë vit më së shumti të holla kanë paguar në vendbanimet që i mbulon Gjykata Themelore 1 dhe 2 në Shkup me 94.5 milionë euro. Pas tyre pason Strumica dhe Radovishi me nga 13 milionë euro, dhe Shtipi dhe Shën Nikolli me nga 11 milionë euro. Më pak të holla janë paguar në vendbanimet që mbulojnë Gjykatat Themelore në Prilep dhe Krushevë me nga 2.7 milionë euro, në Gostivar dhe Kërçovë me nga 3.2 milionë euro, dhe Kumanovë, Kriva Pallankë dhe Kratovë me 4.4 milionë euro.

Në ndërkohë, nga Organizata Joqeveritare (OJQ) “Njeriu mbi profitin”, thonë se me qindra mijëra qytetarë nuk kanë mundur të marrin rrogën, pensionin, apo ndihmat sociale për shkak se përmbaruesit me vite u kanë bllokuar llogaritë transaksionale duke u marrë edhe denarin e fundit.

“Bllokimi i llogarive transaksionale i cili 11 vitet e fundit po bëhet nga ana e përmbaruesve, është i jashtëligjshëm. Sipas Ligjit për qarkullim pagesor, vetëm një institucion shtetëror mund të miratojë vendime për bllokim për qarkullim pagesor – Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP). Kjo do të thotë se përveç DAP-it, askush tjetër nuk ka autorizim ligjor të bëjë veprime për pagesë me dhunë të borxheve. Ligji për përmbarim saktëson se përmbaruesi ka të drejtë të dorëzojë kërkesë për pagesë me dhunë deri të bartësi për qarkullim pagesor, por jo edhe të merr vendim dhe të kërkoj nga bankat që të bllokojë llogarinë transaksionale të qytetarëve, dhe këtë kërkesë duhet ta bëjë deri te DAP-i e jo te bankat”, thonë nga organizata “Njeriu mbi profitin”.

Nga Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë thonë se thonë se në shumicën e lëndëve, harxhimet e përmbaruesve marrin pjesë me një të tretën apo një të katërtën e shumës, që qytetarët në fund e paguajnë si total për shlyerjen e borxheve të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër e harxhimeve ka të bëjë me kamatat e ndryshme, si dhe me harxhimet e noterëve, avokatëve etj.

Lidhur me ankesat për harxhimet e mëdha që i paguajnë qytetarët për borxhet e ndryshme, në Odën e Përmbaruesve arsyetohen se në strukturën e borxhit të fundit, nuk hyjnë vetëm harxhimet e përmbaruesve, por edhe të më shumë institucioneve të tjera, shkruan KOHA.

“Harxhimet e ndryshme të përmbarimit, për fat të keq në opinion shpesh interpretohen në mënyrë jo të drejtë, për shkak se qytetarët e dinë se sa kanë borxh dhe shpesh ndodh se kur lënda vjen te përmbaruesi, borxhi rritet për dy apo tre herë. Megjithatë, kjo nuk është rezultat i harxhimeve të larta të përmbarimit, por vjen si rezultat i ekzistimit të kamatave që janë rritur për disa vite për shkak se ato nuk rrjedhin prej datës kur është sjellë vendimi, por prej ditës kur borxhi ka arritur për pagesë. Gjithashtu, lënda përmban edhe harxhimet e ndryshme si ato gjyqësore, të noterit apo edhe avokatëve”, shpjegojnë përmbaruesit strukturën e lartë të harxhimeve që kanë qytetarët për koston e përmbarimit. Në ndërkohë, vitin e kaluar, u ulën shpenzimet e përmbarimit për qytetarët si dhe u ulën tarifat e noterëve, pas votimit të ndryshimeve ligjore nga ana e Parlamentit.

Për më shumë se 16 shërbime me tarifat e reja janë falas. Shërbimet tjera janë ulur deri në 50 për qind apo edhe më shumë se 50 për qind. Për shembull, urdhëresa për zbatimin e llogarisë transaksionale tek personi fizik, i cili më parë kushtonte 20 euro, me tarifën e re do të jetë 2 euro për borxhe deri në 1000 euro dhe do të lëvizë deri në 6 euro për më të lartat.

Për fatura për ujë, mbeturina, telefona dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta në lartësi prej 6000 denarësh, nuk është e nevojshme pjesëmarrja e avokatëve, si edhe për fatura për energji elektrike dhe ngrohje qendrore deri në 15.000 denarë. Me këtë anulohen harxhimet e avokatëve për personat që kanë llogari të papaguara deri në shumë të caktuar. (koha.mk)

Desk
By Desk 12 Prill, 2019 19:08