Radev: Bullgaria mbështet e lobon për çeljen sa më shpejt të negociatave

Desk
By Desk March 5, 2020 20:01

Radev: Bullgaria mbështet e lobon për çeljen sa më shpejt të negociatave

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kryetari Ruçi e uroi Presidentin Radev për 142 vjetorin e Ditës Kombëtare të Bullgarisë, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer politik midis të dy vendeve dhe nënvizoi se ky bashkëpunim i ka rrënjët në mirëkuptimin e plotë dhe marrëdhëniet tradicionale midis dy popujve tanë.

“Ne i jemi mirënjohës Bullgarisë për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe çeljen sa më shpejt të negociatave dhe jemi të bindur se kjo mbështetje do të vazhdojë dhe do të kurorëzohet gjatë Presidencës kroate.”, tha ai

Bashkëpunimi dypalësh, vuri në dukje Kryetari Ruçi, ka ende mundësi të rritet e zgjerohet në fushën ekonomike, tregtare dhe rritjen e investimeve bullgare në Shqipëri. Si fusha prioritare Ruçi vlerësoi transportin ajror, hekurudhor e rrugor, turizmin, arsimin, kulturën etj.

Po ashtu, Ruçi e falenderoi Presidentin Radev për mbështetjen që Bullgaria i jep Kosovës dhe shprehu bindjen që kjo mbështetje do të vazhdojë për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Shqipëri do të rrisë bashkëpunimin me Bullgarinë edhe për çështjet e zhvillimet rajonale, në shërbim të zhvillimit, paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor e më gjerë”, tha ai.

Nga ana e tij, Presidenti Rumen Radev falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për fjalët e ngrohta dhe vlerësimin e bashkëpunimit shqiptaro-bullgar.

“Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë e të lobojë fuqishëm për çeljen sa më shpejt të negociatave dhe do ta përsërisë qëndrimin e saj në Samitin e Zagrebit. Ne do të mbështesim rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian të 2 marsit sepse jemi të bindur për rezultatet e Shqipërisë në fushën e reformave dhe prioritetet kyçe.”, vuri në dukje Presidenti Radev.

Presidenti Radev falenderoi Shqipërinë për njohjen e pakicës bullgare dhe respektimin e të drejtave të saj, duke i vlerësuar pakicat si ura të mrekullueshme për miqësinë midis të dy vendeve.

Presidenti Radev vlerësoi kontributin e Kuvendit në fuqizimin e sistemit demokratik në Shqipëri dhe vuri në dukje se Parlamenti është institucioni më demokratik në një shoqëri demokratike.

Desk
By Desk March 5, 2020 20:01