Radev me apel për Shkupin, Kovaçevski: Negociojmë me BE-në, jo me Sofjen

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 19:28

Radev me apel për Shkupin, Kovaçevski: Negociojmë me BE-në, jo me Sofjen

Presidenti bullgar, Rumen Radev, thotë se Maqedonia е Veriut, ende nuk i ka hapur dyert e hapësirave ku do zhvillohen negociatat me BE-në e po vë kushte se cili deputet bullgar mund të shpallet persona non grata. Shkupi zyrtar të dëshmojë jo vetëm se nuk janë pjesë e fushatës antibullgare, por edhe se po luftojnë aktivisht kundër saj.

“Tani e kuptoni pse kam luftuar kaq shumë që të drejtat e bullgarëve të Maqedonisë të mbrohen në Kushtetutën e këtij vendi dhe kjo të jetë kusht i detyrueshëm për fillimin e negociatave. Të jeni të sigurt se do të aktivizohen të gjithë mekanizmat europianë, që t’i jepet fund kësaj urrejtjeje dhe histerie antibullgare”, – deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Kërcënimit të Radevit, kryeministri Kovaçevski kundërpërgjigjet se RMV nuk negocion me Bullgarinë, por me BE-në. Thotë se negociatat me BE-në kanë filluar, screening-u është në vazhdim e ai përcakton zbatimin e kritereve, përfshirë të drejtat e pakicave.

“Pasi ka përfunduar procesi i screening-ut, merret një raport që përmban kriteret sipas të cilave vendi aderon në BE. Pra, ne nuk po negociojmë me Bullgarinë, ne po negociojmë me BE-në. Një nga kushtet themelore për anëtarësim në BE janë marrëdhëniet e mira fqinjësore, që do të thotë që institucionet të komunikojnë në mënyrë dinjitoze dhe të ketë komunikim funksional mes dy vendeve. Të gjithë ata që nuk duan ta shohin Maqedoninë e Veriut anëtare të BE-së dhe bëjnë provokime, i bëjnë për ato arsye. Të tillë ka tek ne, por ka edhe në Bullgari.”, – theksoi kryeministri, Kovaçevski.

Edhe raportuesi për RMV- në në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyçyk, në një intervistë për BNR, tha se kthimi i vetos për RMV do të ishte veprim i gabuar.

“Do të ishte një gabim i madh. Vetoja nuk ndikoi pozitivisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në asnjë mënyrë. Krejt e kundërta. Filluan provokimet, pak a shumë menjëherë pas vendosjes së vetos.”, – theksoi deputeti bullgar, raportues për RMV në BE, Ilhan Kyçuk.

Sa i përket ndalesës për hyrje në RMV të eurodeputetit bullgar e personave të tjerë që Shkupi i vlerëson si provokues, Kyçyk është i prerë se as Brukseli dhe as Strasburgu nuk mund ta pranojnë këtë si një qasje normale e nuk do të të inkurajojnë këtë sjellje të autoriteteve maqedonase.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 19:28