Rama lavdëron Shengenin Rajonal, thotë është pa kushte

Desk
By Desk March 3, 2020 20:02

Rama lavdëron Shengenin Rajonal, thotë është pa kushte

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive, mbrëmjen e të hënës, nënvizoi se volumi tregtarë mes Shqipërisë dhe Kosovës është në rritje dhe kjo rritje do jetë edhe më e shpejtë përmes Shengenit Rajonal”.

Sipas Ramës, në vitin 2012 shkëmbimi tregtar ishte 58 milionë euro, ndërsa në vitin 2018 206 milionë euro.

“Mjafton të shohësh volumin tregtar që është rritur në mënyrë progresive. Në 2012 ishte 40 milionë, pra eksporti i Kosovës në Shqipëri. Në 2018 është 68 milionë, pra ka rritje. Është rritur 28 milionë euro. importi i Kosovës nga Shqipëria po ta shikosh ka ardhur në rritje, kjo s’tregon pengesa. Ka qenë 58 milionë në 2008 dhe në 2018 është 206 milionë euro. Nuk ka pengesa tregtare, kjo është çështje tregu. Prandaj duhet Shengeni Rajonal, që këto shifra të rriten me shumë më tepër me shpejtësi”,- tha Rama.

Duke folur për Shengenin Rajonal, Rama tha se nuk i intereson se çfarë fiton Serbia, por se çfarë fiton Shqipëria dhe Kosova.

“Është problem i madh se maunet presin në kufi, këtu problem edhe më i madh është njerëzit që presin. Kur vjen ai korriku unë kam turp kur shoh autokolonat e shqiptarëve nga Kosova që presin nuk e di sa orë. Flas për kohën e verës. Ke 15 ditë pushim dhe një ditë do ta humbësh në këtë histori. Patjetër dhe mallrat”,- theksoi Rama, transmeton ATSH.

Ai tha se “kam shtatë vite që e kërkoj unë heqjen e kufirit”. “Në të gjithë procesin e Berlinit kam qenë me Isa Mustafën. Këto gjëra janë dakordësuar në tavolinë me gjithë partnerët e tjerë. Se kam dëgjuar Isa Mustafa të thotë një fjalë për këtë, që të thotë që jemi kundër kësaj. Ky është më i bukur se Shengeni serioz ( BE) sepse nuk ka kushte. Ai seriozi ka kushte. Unë e kam bindur presidentin e Serbisë pasi i kam thënë që s’bëj më asnjë marrëveshje me Serbinë apo me të tjerë, nëse zotëria jote nuk bie dakord për të bërë lëvizjen e lirë të njerëzve”.

Rama tha se vendet e vogla nuk mund të zhvillohen duke u mbyllur. “BE nuk ka kufi në këtë punë. Shikoni vendet e reja që u futën në BE. Shiko Çekinë, Poloninë, do ishin më mirë sot po të ishin të mbyllura, apo janë më mirë tani që kanë gjetur dakordësi për t’ju hapur botës. Shengenin si koncept e kam futur unë për të katërta lëvizjet. Kemi rënë dakord në Procesin e Berlinit, për unifikimin e dokumenteve etj”.

“Kjo është për Shqipërinë dhe Kosovën një histori suksesi, se çfarë do fitojë Serbia nuk më intereson fare. Por unë s’do humb vetë, që të humbi dhe Serbia”,- tha Rama.

Kryeministri Rama u ndal edhe te vendosja e taksës ndaj Serbisë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Rama tha se “Ramush Haradinaj ka respektin tim për luftën, por ai është një politikan folklorik, unë jam për politikë serioze”.

“Kryeministri Haradinaj ka gënjyer kur ka dal në publik, dhe nuk ishte hera e parë, por herën e parë nuk u mora me atë punë sepse ishte shkelje e traditave shqiptare. Por pas darkës me Thaçin, në shtëpinë e Thaçit, doli dhe gënjeu. Në Berlin, Ramush Haradinaj ka bërë një akt, një sjellje, që për çfarë duhet kryeministri, që në momentin e duhur të marri vendimin e duhur, por ai mori vendimin më të gabuar. Po të kishte dëgjuar presidentin e Francës, Ramushi do ishit duke lëvizur të lirë sot në Europë. Si mund të thuash që: Edi Rama më bëri presion më shumë se sesa Vuçiq, Merkel e Macron për heqjen e taksës. Aty nuk është folur për heqje takse, është folur për pezullimin e taksës. Është diferencë e madhe. Macron i tha pezulloje katër muaj dhe na jep ne mundësinë të bëjmë çmos bashkë me Merkel të bëjmë të pamundurën. Nuk e hoqi, do ishit një vit pa katër muaj pa viza. Ky është Kryeministri dhe ai, Ramushi nuk e kupton”,- theksoi Rama.

Desk
By Desk March 3, 2020 20:02