Rama: Shqiptarët kërkojnë azil për të njëjtën arsye si polakët

Rama: Shqiptarët kërkojnë azil për të njëjtën arsye si polakët

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim të ish-europarlamentarit Hannes Swoboda me diplomatë e profesorë në Tiranë, theksoi se po spekulohet shumë me numrin e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë deklaroi se edhe shtetas të vendeve të tjera më të zhvilluara bëjnë të njëjtën gjë.

“Shqiptarët kërkojnë azil për të njëjtën arsye që polakët ikin nga vendi: për një perspektivë më bindëse në Gjermani e Austri. Lëvizja e fuqisë punëtore ka qenë e mirë për ekonominë dhe shoqërinë europiane. Vendet më të zhvilluara janë vendet ku emigrantët kanë dhënë kontributin e tyre”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, që, sipas tij, “ka një potencial të madh zhvillimi ekonomik”.

“Kancelarja Merkel ka ndërmarrë një nismë vizionare për të bashkuar në tavolinë liderët e vendeve të Ballkanit dhe ne kemi avancuar një propozim tek i cili besojmë shumë. Është ndërtuar një axhendë prioritetesh, për financimin e arterieve kryesore, duke filluar nga Korridori i Kaltër ose Autostrada Blu, që bashkon jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Ne duam të heqim çdo barrierë jotarifore që pengon shkëmbimet e lira tregtare brenda rajonit. Ta kthejmë rajonin në një oaz që funksionon si të ishte i integruar në BE”, u shpreh Rama.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 20, 2016 06:58

REKLAMA