Ramadani: KE vlerësoi reformat që bëri RMV-ja

Desk
By Desk March 3, 2020 19:15

Ramadani: KE vlerësoi reformat që bëri RMV-ja

Miratimi i Ligjit për Prokurori Publike, ndryshimi në media, zhvillimi ekonomik, ndarja e Këshillit Nacional të Sigurisë nga Ministria e Brendshme, janë hapat pozitivë që realizoi vendi, për çka KE ndau raport pozitiv për RMV-në, thotë analisti politik, Ismet Ramadani.

“Është mjaft pozitiv, bile mund të them edhe më pozitiv ngaqë pritej për faktin se gjatë kësaj periudhe të dy vendet vazhduan me reformat, me plotësimin e kritereve dhe standardeve që kërkoheshin nga BE. Dhe ajo që ka bërë shtytje në këtë drejtim për RMV-në është sjellja e disa ligjeve të cilat ishin shumë të rëndësishme sa i përket ecjes sonë drejt BE-së dhe marrjes së datës për të filluar negociatat.”,- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.

Sipas Ramadanit, RMV do të marrë sinjalin e parë në raport me procesin negociues para Samitit të Zagrebit në maj, në mbledhjen e Këshillit për Punë të Përgjithshme në fund të muajit mars.

“27 dhe28 mars do të jenë data të cilat definitivisht do t’i japin RMV-së dhe Shqipërisë një sinjal shumë shumë të qartë para samitit të Zagrebit. Mund të themi se Samiti i Zagrebit tani duhet të konfirmon ose afirmon dhënien e datës që RMV dhe Shqipëria definitivisht të fillojnë negociatat me BE-në.”,- tha analisti politik, Ismet Ramadani.

Ramadani thotë se edhe nga vendet skeptike vijnë qëndrime pozitive, madje sipas tij edhe presidenti francez Makron sillet në atë mënyrë që le të kuptojë se nuk do të jetë pengesë në dhënien e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në si për Shkupin ashtu edhe për Tiranën.

Desk
By Desk March 3, 2020 19:15