Raporti i DASH, Meta: Konkluzione tronditëse

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 20:17

Raporti i DASH, Meta: Konkluzione tronditëse

Presidenti Ilir Meta i konsideroi si “konkluzione tronditëse” vlerësimet për klimën e biznesit në Shqipëri nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit dhe kontratat e partneritetit publik-privat (PPP) përmendeshin si faktorë që pengojnë dhe ulin konkurrencën.

Përmes një postimi në Facebook, ku citonte pjesë nga raporti i DASH, Meta solli në vëmendje faktin se shumë dekrete të tij që kanë kthyer ligje për rishqyrtim, janë rrëzuar poshtë nga parlamenti.

Ai tha se “procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato”.

“I kam bërë thirrje publike prej muajsh Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste. Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe ende nuk ka asnjë hetim!” – shprehet Meta.

Meta kujton se “PPP-të dhe tenderët janë përqendruar vetëm në një grusht oligarkësh” ndërkohë që nga shumica socialiste ka “përpjekje për amnisti fiskale korruptive” e gjitha kjo në “mungesë të transparencës”.

Ditën e sotme DASH publikoi raportin për klimën e biznesit në Shqipëri, ku thuhej se sipërmarrësit e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor, njofton euronews.albania.

Në reagimin e tij Presidenti thekson se për Shqipërinë është domosdoshmëri kthimi i ekonomisë në normalitet dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Për vitin 2019 Shqipëria humbi 7 vende në indeksin e korrupsionit nga Transparency International (e 106-ta nga 180 vende), 19 vende në vrojtimin e Bankës Botërore për të bërit biznes (u rendit e 82-ta nga e 63-ta që ishte një vit më parë).

Ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 20:17