Raporti i Komisionit Anketues: Të përmirësohen kushtet për të burgosurit

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 5, 2019 19:33

Raporti i Komisionit Anketues: Të përmirësohen kushtet për të burgosurit

Në çdo 100 të punësuar, nga një edukator. Kjo është gjendja që kanë konstatuar anëtarët e Komisioni Anketues pranë Kuvendit për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve gjatë vizitës së institucioneve përmirësuese ndëshkuese në vend.

Propozojnë trajnime të kuadrit ekzistues si: punësime të reja dhe angazhimin e pedagogëve, psikologëve dhe punëtorëve socialë.

“Të përgatiten programe për lirim dhe reintegrim, gjegjësisht përgatitje më të mirë të të dënuarve para lirimit të tyre, si dhe stërvitje të trajnerëve dhe stafit kaskadues. T’u rritet mundësia që të dënuarit të kenë kontakte dhe komunikim me familjet e tyre”,- tha kryetari i Komisionit Anketues për Mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarëve, Fadil Zendeli.

“Për fat të keq, statistikat tregojnë se numri më i madh, gjegjësisht mbi 60% e të burgosurve, edhe pas daljes nga burgu, sërish kthehen prapa në mbajtjen e ndonjë dënimi tjetër. Kjo tregon se vet të burgosurit në kohën kur e kanë mbajtur dënimin me burg, nuk kanë arritur të socializohen në institucionin përkatës”,- theksoi Sllagjana Mitovska nga VMRO-DPMNE.

Komisioni propozon që të miturit e dënuar të transferohen nga burgu i Ohrit në shtëpinë edukuese-përmirësuese në Tetovë.

“Objekti është ndërtuar dhe mbaruar prej para më shumë se 3 vjetëve, me kapacitet mbi 80 persona dhe i njëjti akoma nuk është lëshuar në përdorim. Duhet të veprohet menjëherë për këtë dhe pastaj edhe ata fëmijë të trajtohen në mënyrë adekuate. Objekti i plotëson të gjitha standardet botërore, evropiane, të cilat për momentin kërkohen për mbajtjen e dënimit të këtyre personave”,- deklaroi Goran Manajllovski nga VMRO-DPMNE.

Me këtë rast propozohet që vitin e ardhshëm të ndahen mjete nga buxheti për spital të ri, të krijohen kushte për të dënuarit me invaliditet, ushqimi të përmirësohet dhe të adaptohet për personat me sëmundje të veçanta, t’u mundësohet angazhim pune dhe të sanksionohet prania e korrupsionit në burgje. (tvm2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 5, 2019 19:33