Rasti “Monstra”, dëshmuan të punësuar dhe ish pjesëtarë të MPB-së

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 19:23

Rasti “Monstra”, dëshmuan të punësuar dhe ish pjesëtarë të MPB-së

Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” vazhdoi me dëshmitarë, të punësuar dhe ish të punësuar në MPB. Në bazë të dëshmisë së ish inspektorit në Njësinë për Hetime dhe Dokumentacioneve të Siguruara, avokatët mbrojtës shprehim dyshime për provat e siguruara nga vendi i ngjarjes dhe krijimi i procesverbalit.

Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thekson se inspektori që dëshmoi ka krijuar dy procesverbale, njërin më 13 prill një ditë pas vrasjes dhe tjetrin më 17 prill, teksa në procesverbalin e dytë është theksuar se janë gjetur 21 gëzhoja, ndërsa në të parin 20. Kjo sipas Raufit, hap dilemën për montim të rastit dhe ndërlidhje të tij me rastin e armatosur tek ferma në Bilimbeg që ka të bëjë me pronësinë e të akuzuarit, Fejzi Aziri. Dëshmitari hodhi poshtë pretendimet e avokatëve mbrojtës, duke theksuar se prova janë mbledhur më shumë ditë, ndërsa pranoi se nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur është krijuar procesverbali i dytë edhe pse i njëjti mban nënshkrimin e tij.

“Del një gëzhojë pas katër ditëve, kinse është gjetur vetëm edhe një. Kjo është bërë me qëllim që të involvohet rasti i Bilimbegit dhe të bashkohet me këtë rast. Kjo gëzhojë është praktikisht e montuar pas katër ditëve del që ka qenë gëzhoja e përdorur nga arma e gjetur në Bilimbeg.”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Njëherit Raufi paralajmëron prova të reja të mbrojtjes, që, sipas tij, do t’i japin dritë këtij procesi.

“Është e sigurt që ky rast do të demaskohet, bile do të vijmë edhe tek vrasësit e vërtetë, pasi ne si palë mbrojtëse posedojmë bisedë ku konstatohet se para orës 21 persona pjesëmarrës të policisë e dinë që ka ndodhur ky rast. Kurse sipas dëshmive të prokurorisë, rasti është paraqitur në polici në 22:30.”,- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Për avokaten e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova, dëshmitarët e thanë atë që edhe deri më tani ishte e shënuar në procesverbale dhe asgjë të posaçme.

“Të gjithë dëshmitarët e pranishëm e thanë atë që ishte e shkruar në procesverbale dhe shënimet zyrtare që paraqesin dëshmi materiale në këtë lëndë. Diçka të veçantë nuk kishte, secili tregon për mënyrën se si e kanë kryer punën në bazë të protokolleve. Hetimi në vendngjarje ka vazhduar disa ditë deri sa është vlerësuar se është hetuar i gjithë tereni.”,- u shpreh avokatja mbrojtëse, Dafinka Ivanova.

Sa i përket veturës Opel Omega, të tre dëshmitarët thanë se nuk kanë lidhshmëri direkte me veturën dhe se nuk e dinë se si është zhvilluar rrjedhoja që kjo veturë të jetë e dyshuar për këtë rast.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 19:23