Rasti “Monstra”, Fetai dorëzoi dëshmi të reja

Desk
By Desk 12 Dhjetor, 2019 19:20

Rasti “Monstra”, Fetai dorëzoi dëshmi të reja

Prokurorja Publike, Fatime Fetai, në gjykimin për rastin “Monstra” dorëzoi dëshmi nga biseda të përgjuara, të cilat ia ka dërguar i akuzuari në rastin “Lagjja e trimave”, Shefqet Hallaqi, në qershor të këtij viti. Hallaqi i ka treguar Fetait se ka 140 gigabajt biseda të përgjuara,të njëjta të cilat ia ka dërguar edhe “El Cekës”. Për shkak se bisedat e njëjta janë dëgjuar më herët gjatë procesit gjyqësor u propozua që mos të humbet kohë në dëgjimin dhe leximin e tyre të sërishëm.

Raufi: Raporti i MBP-së në favor të të akuzuarve

Ndërkohë, Fetai ka propozuar edhe raport të detajuar nga MPB, me të cilin në mënyrë kronologjike përshkruhet puna e krim-teknikës. Për avokatin mbrojtës, Naser Raufi, ky raport dëshmon se ekspertiza nuk është realizuar në mënyrë adekuate dhe kjo është në favor për të akuzuarit.

“Bëhet fjalë për kundërshtimet tona që kanë qenë për ekspertët, për laboratorit që nuk janë komplet në shtetin tonë tash dolën në pah… Praktikisht nuk ka pasur as skicë të vendit të ngjarjes të cilën nuk mund ta gjejë as vet Komisioni. Dua të them se ka shumë mungesa dhe me të vërtetë si palë mbrojtëse jemi të detyruar të kërkojmë një ekspertizë ndërkombëtare.”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Ivanova: Ekspertiza joadekuate nuk nënkupton pafajësinë

Mbrojtja e palës së dëmtuar pranon që dëshmitë i shkojnë në favor të akuzuarve, por që kjo nuk nënkupton se të akuzuarit nuk janë fajtorë.

“Lidhur me atë që e thanë avokatët mbrojtës se në mënyrë joadekuate dhe dobët është zhvilluar procedura, ajo do t’i shkonte atyre edhe më shumë në favor, por ajo nuk do të thotë se nuk janë këta të akuzuar apo diçka tjetër. Ajo se çfarë duan të thonë me këtë, e dinë ata. Nëse dikush vlerëson se diçka nuk është bërë në mënyrën e duhur, akoma ekzistojnë dëshmitë në MPB, mund të shqyrtohen përsëri.”,- u shpreh avokatja mbrojtëse, Dafinka Ivanova.

Me këtë rast, familjarët e palës së dëmtuar kishin kritika drejtuar trupit gjykues për, siç thanë, mënyrën e ngadalshme të procesuimit të rastit, i cili nuk po gjen fundin edhe pas më shumë se 8 viteve nga vrasja. (TVM2)

Desk
By Desk 12 Dhjetor, 2019 19:20