Rasti “Trust”, Koçan merr vendim për vuajtjen e dënimit

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 31, 2019 20:06

Rasti “Trust”, Koçan merr vendim për vuajtjen e dënimit

Biznesmeni i dënuar me burg, Sead Koçan, mëngjesin e sotëm nuk u paraqit në burgun e Idrizovës edhe pse Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore në Shkup, mbrëmë e ka refuzuar ankesën për prolongimin e vuajtjes së dënimit.

Në vend të paraqitjes në burg, Koçan ndodhet për kurim në spital privat, edhe pse nga Gjykata konfirmojnë se Koçan këtë mëngjes e ka pranuar vendimin për mbajtjen e burgut, pa dhënë detaje se ku i është dorëzuar vendimi, në spital apo në shtëpi. Pasi Koçan nuk u paraqit në burg, gjykatësi për kryerjen e sanksioneve do të duhet të dërgojë deri te MPB urdhër për arrestim dhe shoqërim në burg tē biznesmenit Koçan.

Por, ligji nuk e definon kohën deri kur i dënuari duhet të paraqitet vullnetarisht në burg pas marrjes së vendimit, ndërsa nga Gjykata thonë se nëse së shpejti Koçan nuk paraqitet në burg, do të sillet me polici. Vendimin e gjykatës e ka pranuar edhe burgu i Idrizovës, konfirmojnë nga burgu, prej ku e kanë njoftuar Gjykatën se Koçan nuk është paraqitur për vuajtjen e dënimit. Koçan është dënuar me 4 vite e 8 muaj burg për rastin “Trust”.

Ai duhej të paraqitet në burgun e Idrizovës për vuajtjen e dënimit që nga 17 korriku, por pasi ka kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me arsyetimin se përballet me probleme shëndetësore, është dashur të pritet vendimi gjyqësor lidhur me kërkesën e Koçan dhe pasi Gjykata i ka refuzuar kërkesën ai duhet të fillojë vuajtjen e dënimit. (TVM2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 31, 2019 20:06