Rasti “Zhvatja”, mund të përfshihen edhe funksionarë të lartë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 17, 2019 20:15

Rasti “Zhvatja”, mund të përfshihen edhe funksionarë të lartë

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion vazhdon hetimin për rastin “Zhvatja”, me dëgjimin e bisedave si dhe dokumenteve të konfiskuara nga shtëpitë dhe zyrat e dy të arrestuarve, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, për përfshirjen edhe të personave të tjerë në veprën penale.

Jozyrtarisht mësohet se në procesin gjyqësor mund të përfshihen edhe funksionarë të lartë, pasi dyshohet për marrjen e dhuratave nga dy të arrestuarit me paratë e marra nga biznesmeni Kamçev.

Sipas Ligjit për luftimin e korrupsionit, edhe këta funksionarë mund ta pësojnë, pasi nuk kanë i paraqitur dhuratat e shtrenjta në listën pronësore.

Ndërkohë që s’ka informacione për kryeprokuroren speciale, Katica Janeva, emri i së cilës u përfol për lidhje me të dyshuarit, Jovanovski dhe Milevski. Janeva as sot nuk është paraqitur në vendin e punës.

PROKURORIA SPECIALE: NUK KEMI INFORMACION PËR JANEVËN

Nga Prokuroria Publike Speciale thonë se nuk kanë informacion për vendndodhjen e Janevës dhe se ajo për mungesën në vendin e punës nuk ka dorëzuar kërkesë për pushim vjetor ose pushim mjekësor.

“Kryeprokurorja Janeva as sot nuk është paraqitur në vendin e punës. Ne do të vazhdojmë punën me lëndët e hapura. Nëse kemi informacione për kryeprokuroren, këtë do ta ndajmë me opinionin”,- thonë nga Prokuroria Speciale.

PROKURORIA E KRIMIT TË ORGANIZUAR: JANEVA NUK ËSHTË ARRESTUAR, NUK KA HETIM PËR TË

Nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion përgënjeshtrojnë informacionet për arrestimin e Janevës.

“Për të pasur kërkesë për arrestimin e saj, fillimisht do të duhet të ketë hetim dhe më pas ajo të arrestohet. Arrestim të Janevës nuk ka”,- njoftojnë nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion.

Zyrtarisht thuhet se Janeva nuk është pjesë e hetimit edhe përkundër dyshimeve se ajo është prokurorja ndaj së cilës Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski kanë ushtruar trysni për t’i lehtësuar dhe liruar nga akuza afaristin, Orce Kamçev. Jovanovski dhe Milevski nga Kamçev kanë marrë 1.5 milion euro. (TVM2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 17, 2019 20:15