Rasti “Zhvatja”, Radulloviq: Kam ndihmuar financimin e 1TV-së

Desk
By Desk March 6, 2020 19:20

Rasti “Zhvatja”, Radulloviq: Kam ndihmuar financimin e 1TV-së

Dëshmitari i fundit, Aleksandar Radulloviq, i propozuar nga Bojan Jovanovski, i akuzuari në rastin “Zhvatja”, thotë se Jovanovskin dhe familjen e tij e njeh për rreth 15 vite dhe se i ka ndihmuar disa herë financiarisht përfshirë dhe për financimin e 1TV-së.

“Vendosa se duhet t’i ndihmoj në financimin e hapjes së televizionit. Gjithsesi se i ndihmova dhe privatisht i dhashë atë që e kishte të nevojshme sepse ishim shokë të afërt”.

Dukovski: 1/3 e llogarive fiskale janë të Jovanovskit

Dëshmitari tha se në shkurt të vitit të kaluar në shtëpinë e tyre në Beograd i ka dhënë 150 mijë euro Jovanovskit që të blejë barëra në Itali dhe garderobë për bashkëshorten e tij. Por, prokuroria pretendon se Jovanovski 150 mijë eurot që i ka shpenzuar në atë periudhë në Itali janë pjesë e parave që i ka marrë nga biznesmeni Kamçev. Sipas avokatit mbrojtës, Sasho Dukovski, prokuroria nuk posedon llogari fiskale në lartësinë e kësaj shume.

“Nga i akuzuari Bojan Jovanovski nuk janë as një e treta e atyre llogarive fiskale. Ato janë nga persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Jovanovski dhe ato janë të ndara me tre persona. Më e rëndësishmja është se ato që nuk do t’i quaja llogari fiskale por formularë për kthimin e tatimit që asnjëherë nuk janë paguar.”,-deklaroi avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.

Dukovski paralajmëroi se me fotografi do të dëshmojë se pjesën më të madhe të garderobës e ka blerë në vitin 2013 dhe më pas deri në vitin 2019. Procedura e dëshmisë vazhdon të enjten. I akuzuari Jovanovski njëherit ka propozuar dëshmi për mijëra euro, trashëgimi nga gjyshërit e tij dhe hua prej 125 mijë euro nga futbollisti, Stevica Ristiq.

Desk
By Desk March 6, 2020 19:20