Ratifikimi i protokollit, Zaev: Presim Spanjën në janar, zgjedhjet nuk shtyhen
Kryeministri, Zoran Zaev, nuk sheh arsye për shtyrjen eventuale të zgjedhjeve të parakohshme të 12 prillit.
Përkujton se data është përcaktim i arritur me pajtimin e të gjithë liderëve. Është optimist se deri në fund të janarit parlamenti spanjoll do të ratifikojë protokollin për në NATO, që është potencuar si arsye e mundshme për shtyrjen eventuale të zgjedhjeve.
“12 prilli është datë e përbashkët e harmonizuar për organizimin e tyre, kuptohet se të gjithë së bashku duhet në ndërkohë t’i realizojmë ratifikimet e nevojshme deri në atë periudhë, pasi që pikërisht kjo ishte thelbi i shtyrjes eventuale të zgjedhjeve, për të cilën tani vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për t’i anuluar ato. Në mëngjes më informuan se miku im i mirë, kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez, e ka marrë mandatin prej presidentit për të formuar qeverinë e re spanjolle. Në bazë të dinamikës që ai ma shpjegoi edhe në Londër, unë shpresoj se kjo gjë do të përfundojë brenda afateve të parashikuara.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Mohimi i maqedonishtes nga ABSh, Zaev: Duhet zgjidhur bashkë me problematikat e tjera
Teksa duket se me Spanjën punët po rrjedhin sipas pritjeve, të tjera probleme po dalin në marrëveshjet me fqinjët. Akademia e Shkencave të Bullgarisë hapi problemin e ri mes vendeve duke e cilësuar maqedonishten si dialekt bullgar. Zaev thotë se do të reagohet në mënyrë adekuate përmes institucioneve, por nuk pret që kjo temë të sjellë suspendimin e negociatave me Bullgarinë.
“Do të reagojmë për shkak se kjo çështje është pjesë e çështjeve për zgjidhjen e problemeve mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi. Hapat e parë janë bërë. Besoj se këto patjetër t’i zgjidhim… Ai formulimin se në pajtim me Kushtetutat e shteteve, në vetë Marrëveshjen, tregon se Bullgaria ende nuk është e pastër me njohjen e gjuhës sonë maqedonase.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev pret që në Bullgari kjo çështje të zgjidhet në kuadër të Marrëveshjes, siç do të zgjidhen edhe problemet me Goce Dellçevin apo çështjet e tjera problematike. Apeloi që nëse vendet pretendojnë të sillen sipas vlerave, demokracisë dhe të drejtat evropiane, kjo çështje duhet tejkaluar sa më shpejt si europianë. (TVM2)