Reagime ndërkombëtare, tensione në veri për të penguar reciprocitetin, Borell fton në takim Kurtin dhe Vuçiçin
Pas tensioneve në veri të Kosovës me qëllim që të pengohet masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka ftuar në takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zëdhënësi, Peter Stano, ka thënë se Kurti dhe Vuçiq kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve. Bashkimi Evropian me kujdes dhe me shqetësim po e ndjek situatën në veri të Kosovës ka thënë Stano, duke theksuar apelin e BE-së te të dyja palët për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Pasi Kosova pranoi kërkesën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borella dhe SHBA-ve për shtyrjen e masave të planifikuara lidhur me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët që të takohen në Bruksel… Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet. Propozimi i Borrell ishte shtyrja e masës për targat dhe kartat e identitetit dhe ndërkohë të mbahet një takim në Bruksel për të vazhduar dialogun” – tha zëdhënës i BE-së, Peter Stano.
Edhe Miroslav Lajçak, emisari i BE-së për Ballkanin perëndimor në dialogun Kosovë-Serbi, mirëpret vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Borrel për shtyrjen një mujore të reciprocitetit.
Lajçak poashtu ka kërkuar heqjen e menjëhershme të gjitha barikadave në Veri.
Moska: Jemi plotësisht në anën e Serbisë
Si rëndom Moska, edhe kësaj radhe ka dalë në anën e Serbisë.
“Rusia qëndron plotësisht pranë Serbisë në mosmarrëveshjen me Republikën e vetëshpallur të Kosovës dhe insiston se të drejtat e serbëve duhet të garantohen me një rezolutë për këtë konflikt” – u shpreh Zëdhënës i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Zyrtarët e Kosovës pas takimit të me ambasadorin amerikan në Prishtinë u dakorduan që çështja e reciprocitetit të shtyhet deri më nji shtator. (TVM2)