Në ndërkohë, Lista më Mirë për Tetovën, ka reaguar poashtu me vendimin e fundit të gjykatës themelore të Tetovës. Sipas Ngadhnjim Memetit, drejtësia e kalbur dhe e zënë peng nga politika i vrau për herë të dytë viktimat e kësaj tragjedie
Vendimi i Gjykatës Themelore të Tetovës për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, ka shkaktuar revoltë tek familjarët e viktimave dhe shoqëria civile. Dënimi i dy ish drejtorëve me një vit e 6 muaj burg me kusht, sipas familjarëve tregon se në vend gjykatat janë të korruptuara.
Mumin Ismaili, i cili më 8 shtator të vitit 2021, gjatë zjarrit në spitalin modular humbi nënën e tij. Ai thotë se krahas këtij dënimi, poashtu është absurde se pse në bankën e të akuzuarve nuk janë edhe ish ministri i shëndetësisë Venko Filipçe. Ai ka paralajmëruar se për këtë vendim do të ankohet përmes avokatëve. “Dje, gjykata e Tetovës na dogji për së dyti, ne sërish i kemi ndjerë dhimbjet me vendimin e marrë nga ana e gjykatës. Kjo do të thotë se asnjë nuk është dënuar dhe na dogjën për së dyti. Nuk jemi të kënaqur me këtë gjykim. Ne do të bëjmë ankesë që të ketë rigjykim për këtë rast. Nuk janë njerëzit e duhur në bankën e të akuzuarve. Aty dihet se kush duhet të jetë, ish ministri Venko Filipçe, zëvendësi Ilir Hasani, dhe unë po them se në këtë rast duhet që të jetë një zinxhir prej më shumë njerëzve që duhet të përfshihen në akuzë, sepse nuk është një gjë e vogël, unë kam qenë aty, kam parë gjithçka dhe në fund të ketë dënime me kusht është absurde”, tha Mumin Ismaili, familjarë i njërës prej viktimave në zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë.
Në ndërkohë, Lista më Mirë për Tetovën, ka reaguar poashtu me vendimin e fundit të gjykatës themelore të Tetovës. Sipas Ngadhnjim Memetit, drejtësia e kalbur dhe e zënë peng nga politika i vrau për herë të dytë viktimat e kësaj tragjedie. “Katërmbëdhjetë të djegurit në Spitalin Modular në Tetovë nuk do të pushojnë të qetë në botën tjetër. Korrupsioni vrau përsëri. Drejtësia e kalbur dhe e zënë peng nga politika i vrau për herë të dytë viktimat e kësaj tragjedie, bashkë me ta edhe familjarët e tyre dhe neve tetovarëve që po heshtim. Katërmbëdhjetë jetë të humbura, zero ditë burgim. Si është e mundur. Retorika bajate për Bashkimin Evropian nga politikanë që çdo ditë na vrasin dhe shuajnë shpresën për jetë normale në këtë vend është absurde. Politika gjatë këtyre viteve ka vrarë nervin për proteste, për reagim qytetar ndaj se keqes. Ne tetovarët sot jemi në gjumë, prandaj edhe ata sillen kështu. Por ne nuk do të dorëzohemi në luftën kundër të keqes. Zero tolerancë për kulturën e pandëshkueshmërisë”, deklaroi Ngadhnjim Memeti, nga Lista më Mirë për Tetovën.
Në seancën e 5 qershorit, Gjykata Themelore e Tetovës vendosi që ish drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës Florin Besimi dhe Artan Etemi, të dënohen me një vit e 6 muaj burg me kusht, ndërsa përgjegjësi i modularit Boban Vuçevski dhe Spitali Klinik i Tetovës si person juridik u liruan nga akuzat. Ankesë ndaj dënimit të djeshëm paralajmëroi edhe ish drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi. Zjarri që shpërtheu në Spitalin Modular të Tetovës më 8 shtator të vitit 2021, shkaktoi vdekjen e 14 personave, shumica pacient që kuroheshin nga virusi korona, mjek dhe familjarë./Koha.mk