Reagon Kina pas mbërritjes së Nancy Pelosi në Tajvan

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 22:26

Reagon Kina pas mbërritjes së Nancy Pelosi në Tajvan

Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës e ka dënuar ashpër vizitën e Nancy Pelosit në Tajvan, duke e cilësuar atë një “shkelje serioze të parimit Një Kinë” që do të ketë një “ndikim të rëndë” në themelin politik të marrëdhënieve Kinë-SHBA.

Në një deklaratë, ministria tha se vizita e Pelosit “cënon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, shkruan BBC,

“Ajo minon rëndë paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe dërgon një sinjal seriozisht të gabuar për forcat separatiste për ‘pavarësinë e Tajvanit’”, citohet të ketë thënë ministria.

Kështu, Kina i kërkoi SHBA-së që “të ndalojë së luajturi ‘kartën e Tajvanit’ dhe të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës dhe ‘të mos shkojë më tej në rrugën e gabuar dhe të rrezikshme’”.

Ndryshe, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, ka mbërritur në Taipei të martën.

Aeroplani i saj thuhet se aterroi në aeroportin Songshan në Taipei rreth orës 22:45 me orën lokale të martën.

Ajo u prit nga ministri i jashtëm Joseph Wu dhe përfaqësuesja e SHBA-së në Tajvan, Sandra Oudkirk dhe pritet të takohet me presidentin Tsai Ing-wen të mërkurën në mëngjes.

Një vizitë e saj vjen pavarësisht paralajmërimeve nga Kina, e cila madje po të martën ka angazhuar disa aeroplanë të cilët fluturuan afër “vijës” që ndan ngushticën e Tajvanit.

Nancy Pelosi po bën udhëtimin e nivelit më të lartë në 25 vjet nga një zyrtar i qeverisë amerikane në Tajvan, një ishull vetëqeverisës që Partia Komuniste e Kinës e pretendon si pjesë të territorit të saj.

Zyrtarët kinezë, përfshirë udhëheqësin Xi Jinping në një telefonatë javën e kaluar me presidentin Joe Biden, kanë paralajmëruar kundërmasa të paspecifikuara nëse një vizitë e tillë ndodhë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 22:26