Reali i Madridit pa Benzema dhe Bale ndaj Valencias në Superkupë!

Desk
By Desk January 7, 2020 20:08

Reali i Madridit pa Benzema dhe Bale ndaj Valencias në Superkupë!

Karim Benzema dhe Gareth Bale nuk janë pjesë e listës së lojtarëve të grumbulllluar nga Zinedine Zidane për Superkupën e Spanjës që do të luhet në Arabinë Saudite, këtë vit në një format krejtësisht ndryshe, ku pjesëmëmarrëse në fazën finale janë 4 skuadra. Sulmuesi francez ka një shqetësim në këmbën e majtë dhe për këtë arsye trajneri Zidane ka vendosur që ai të mos udhëtojë bashkë me pjesën tjetër të skuadrës për në Lindjen e Mesme. Edhe uellsiani ka shfaqur disa probleme fizike dhe nuk do të jetë pjesë e ekipit, që fillimisht do të luajë në gjysmëfinale ndaj Valencias dhe në rast kualifikimi, do të luajë për fitimin e Superkupës me fituesin e çiftit tjetër Barcelona-Atletico Madrid. Prej kohësh në radhët e Real Madrid për shkak dëmtimi mungon edhe talenti Eden Hazard, ndërkohë që repartin e sulmit në këto sfida, trajneri Zidane do ia besojë lojtarëve si Lucas Vázquez, Jovic, Brahim Diaz, Mariano Diaz, Vinicius Jr apo Rodrygo.

Pavarësisht se mungesat e Benzema dhe Bale janë tepër shqetësuese për Real Madrid përpara një kompeticioni të tillë siç është Superkupa, statistikat japin një rezultat befasues dhe shpresdhënës për merengues: që nga sezoni 2013-2014 përqindja e fitoreve të Real Madrid është më e madhe kur në fushën e lojës kanë munguar francezi dhe uellsiani.

Sipas të dhënave, Real Madrid ka fituar 64.2 përqind të ndeshjeve me Benzema dhe Bale në fushë, duke marrë parasysh të gjitha garat zyrtare, ndërkohë që kur dyshja nuk ka qenë e pranishme në fushën e lojës, “Los Blancos” kanë fituar 74.2 përqind të takimeve.

Një statistikë tjetër që mund të ngushëllojë disi tifozët madrilenë është fakti që Real Madrid ka një mesatare shënimi 2.5 gola për ndeshje, si në rastet kur Benzema dhe Bale kanë luajtur po ashtu edhe kur dyshja ka munguar. Gjithsesi deri përpara një sezoni e gjysmë Real Madrid kishte në përbërje një lojtar si Cristiano Ronaldo, i cili për 9 sezone te madrilenët shënoi 450 gola, me një mesatare gati një gol për ndeshje.

Në sezonin aktual, golat e Benzema dhe paraqitjet e Gareth Bale e kanë ndihmuar mjaft skuadrën që të rivalizojë me Barcelonën për titullin kampion në La Liga. Mungesa e lojtarëve të tillë sigurisht që do të peshojnë në lojën e skuadrës së Zidane, i cili do të përpiqet që të shfrytëzojë në maksimum shpejtësinë dhe talentin e Vinicius Jr apo Rodrygos, për të vendosur në vështirësi mbrojtjen e Valencias fillimisht dhe pse jo atë të Barcelonës apo Atletico Madrid në një finale hipotetike.

Desk
By Desk January 7, 2020 20:08