Reciprociteti ndaj Serbisë. ​Kurti: S’ka vend për tensione e as për destabilizim

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 31 Korrik, 2022 14:02

Reciprociteti ndaj Serbisë. ​Kurti: S’ka vend për tensione e as për destabilizim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë një konference për media sot se nuk ka vend për tensione e destabilizim të situatës për shkak të vendimit të nesërm për reciprocitet të letërnjoftimeve dhe hapjes së afatit për regjistrim të automjeteve me targat RKS.

Kreu i ekzekutivit tha se pret që gjithçka të shkojë mirë, ndërsa paralajmërimet e Beogradit për tensionime thotë se tregojnë më shumë për ata se sa për Kosovën.

“Nuk ka kurrfarë vendi për tension. Nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka që legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, ata që flasin për bllokime, ata që flasin për destabilizim. Ata që flasin për tensione, flasin për vete. Nuk flasin për neve. Ata flasin për vete. Ne jemi Republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë siç është më së miri, ndërkaq edhe një herë përfitoj nga rasti që ti ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë targa të kohës së Millosheviqit që t’i konvertojnë në targa legale e legjitime me akronimin e vendit tonë, të shtetit tonë të përbashkët, RKS., deklaroi Kurti, sipas Kosovapress.

Kurti theksoi se sundimi i ligjit dhe kushtetutshmëria nuk kanë alternativë.

Ai tha se qytetarëve serbë nuk do t’ju merren dokumentet por do të kenë një më tepër me fletë-deklarimin që do ta marrin në pika kufitare.

“Jam i kryeministër i progresit dhe i shpresës e di që në fqinjin tonë verior në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri tek kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e të frikësimit. Besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ju marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Ata vijnë me dokumente të lëshuara nga Serbia, ne nuk ua marrim ato, por ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha Kurti.

Kurti nuk u shfaq shumë i lumtur  kur u pyet të komentojë deklaratat e të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç që paralajmëroi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri u shpreh se vendimi i Kushtetueses për Asociacionin është i qartë.

“Për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe e ka thënë qëndrimin e qartë Gjykata Kushtetuese, peticioni i qytetarëve dhe në anën tjetër në zyrën time nuk ekziston as një letër e as një qytetari serb të Kosovës që thotë ‘zbatoje Asociacionin’, asnjë. Për çdo javë marr letra nga qytetarët serbë, por asnjëra nuk është për Asociacionin. Unë ju përgjigjem qytetarëve të Republikës së Kosovës, andaj besoj që duhet ta kemi parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015 por gjithashtu edhe interesi publik yni nuk e imponon me domosdoshmërinë destabilizuese të Beogradit temën e këtillë në Kosovë”, tha Kurti.

Më 19 qershor qeveria mori vendim për regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat e qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia e që konsiderohen të jashtëligjshme.

Në të njëjtën mbledhje u mor edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Të dy vendimet hyjnë në fuqi nesër, datë 1 gusht 2022.

Top Channel

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 31 Korrik, 2022 14:02