Referendumi, Zaev: Rrugëtim i drejtë për ardhmërinë e vërtetë; Ahmeti: Është koha për vendime me rëndësi historike

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 30 Gusht, 2018 19:34

Referendumi, Zaev: Rrugëtim i drejtë për ardhmërinë e vërtetë; Ahmeti: Është koha për vendime me rëndësi historike

Dy partitë më të mëdha politike në Qeveri, LSDM dhe BDI, të prirë nga liderët e saj dhe të mbështetur nga partitë e tjera politike brenda dhe jashtëparlamentare, kanë filluar fushatën 30 ditëshe për referendumin e 30 shtatorit. Zaev dhe Ahmeti premtuan para qytetarëve se ky rrugëtim është më i drejti për ardhmërinë e fëmijëve tanë, dhe do të ftojnë të gjithë qytetarët pa dallim, që brenda këtyre 30 ditëve t’i bashkohet karvanit të fitores dhe karvanit europian.

Madje, Zaev pohoi po ashtu se është i bindur që edhe VMRO-DPMNE, e cila me vite ka qenë pro ardhmërisë europiane, nuk ka arsye ta lëshojë këtë mundësi që vendi të bëhet pjesë e NATO-s dhe e BE-së, si dhe mundësinë që të jetë me popullin, duke mos iu mohuar e drejta për të kritikuar Qeverinë për Marrëveshjen me Greqinë.

“Kjo është dita që para nesh me plot përgjegjësi politike po qëndron ky koalicion i madh, për një Maqedoni europiane. Prej sot, do të numërojmë deri në momentin final, kur qytetarët tanë do të dalin dhe do të votojnë për ardhmërinë e vendit tonë dhe të fëmijëve tanë. Prandaj, votimi i datës 30 shtator, në shumë aspekte është edhe një referendum për ta vërtetuar dhe konfirmuar pavarësinë tonë. Unë e di se të gjithë qytetarët më 30 shtator do të jemi të bashkuar për një Maqedoni europiane, unë e di se ne do të dimë ta shfrytëzojmë këtë mundësi historike që po na jepet”,- theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij pohoi se sot është dita dhe momenti për vendime të rëndësishme që do t’i njohë historia.

“Qytetarët dhe forcat progresive në vend, tashmë janë të bindur që integrimi në NATO dhe në BE sjellë paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri. Ftoj edhe të gjithë ata të cilët hamenden dhe i kalkulojnë pozitat e tyre për nevojat e tyre ditore, që ta tejkalojnë veten dhe të rreshtohen me forcat progresive në vend. Ja, pikërisht sot jemi para rrumbullakimit të përpjekjeve tona dydekadëshe për integrim të plotë të vendit aty ku edhe e kemi vendin”,- u shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në takim, përveç që morën pjesë deputetë dhe ministra të shumicës parlamentare, nuk pati përfaqësues të Lëvizjes Besa të krahut të Bilall Kasamit, si dhe përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët. Kryetari i ASh-së nuk mori pjesë as në takimin e djeshëm që e ftoi kryeministri Zaev. Nga ky subjekt pohojnë se ASH po angazhohet për integrim në NATO dhe në BE që nga themelimi dhe jo vetëm në këto 30 ditë.

“Jemi deklaruar “pro” referendumit. Fushata jonë “pro” BE-së dhe NATO-s ka filluar që nga themelimi i subjektit politik, atëherë kur subjektet politike që dje u përfaqësuan në takimin e liderëve me kryeministrin Zaev, ishin ata që e kanë penguar procesin eurointegrues dhe sot e kësaj dite kanë problem me drejtësinë. Për fushatën e referendumit do të vendosin organet partiake, por gjithsesi se në atë fushatë, përveç tjerash, do të jepet edhe vlerësim dhe do të kërkohet llogari për ngecjen e proceseve gjyqësore, mosndëshkimin e të inkriminuarve në afera të ndryshme korruptive, për gjendjen e rënde ekonomike të qytetarëve, zhvillimin e ulët ekonomik, etj…”,- thuhet në komunikatën e lëshuar nga Aleanca për Shqiptarët.

Dita e mbajtjes së referendumit është caktuar për më datën 30 shtator, kur qytetarët duhet të përgjigjen se a janë për integrim në BE dhe NATO, duke pranuar Marrëveshjen me Greqinë. (Tvm2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 30 Gusht, 2018 19:34