Reformat e munguara: Administrata çdo ditë e më e ngarkuar

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Janar, 2022 20:13

Reformat e munguara: Administrata çdo ditë e më e ngarkuar

Në shtet kemi raste të panumërta të nëpunësve administrativ që paguhen pak më shumë se paga minimale, ndërsa në një pjesë të madhe – e tërë puna administrative varet nga puna e tyre në dikastere të ndryshme, thotë profesori Neritan Turkeshi, ndërsa shton se në shumë institucione, ka shumë pak punë me paga të mëdha.

Përkundër premtimeve të shumta për uljen e të punësuarve në administratë, edhe në këtë fillimvit kanë vazhduar të publikohen shpallje të shumta për punësime të reja në ministri, komuna, ndërmarrje shtetërore… Rriten gjithashtu edhe harxhimet për paga për administratën prej 380 milionë euro para dhjetë vitesh në afër 530 milionë euro, dhjetë vite më vonë. Edhe raportet e ndryshme ndërkombëtare vlerësojnë se administrata është joefikase dhe e madhe. Në raportin e fundit të Progresit për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian vlerëson se korniza e re juridike urgjentisht duhet të përmirësojë menaxhimin me burimet njerëzore në të gjithë administratën dhe të kontribuojë në sigurimin e respektimit më të mirë të punësimit të bazuar në meritokraci, avancimit dhe shkarkimeve, përfshirë edhe nivelet më të larta të menaxhmentit.

“Komisioni i Antikorrupsionit ka vazhduar të trajtojë rastet e pretenduara të nepotizmit, miqësisë dhe ndikimit politik në procesin e punësimit në sektorit publik dhe në procesin e emërimit të anëtarëve të Këshillave të mbikëqyrjes dhe të udhëheqjes”, theksohet në raport. Njëherësh, shtohet se vazhdohen të përdoren shpesh edhe procedurat për punësim të përkohshëm apo me kontrata dhe me kritere më të ulëta, duke anashkaluar kriteret e përcaktuara në

Ligjin për nëpunësit administrative. Ekspertët thonë se me vite në vend po bëhen reforma për një administratë më cilësore në shërbim të qytetarëve dhe biznesit, mirëpo shtojnë se ato akoma lënë mjaft për të dëshiruar.

“Nuk mund të thuhet se nuk ka përmirësime në sektorë të ndryshëm të administratës si rrjedhojë e reformave në periudhën e kaluar, mirëpo edhe vet kur kemi punë nëpër sportele – e ndjejmë se mbetet akoma punë dhe angazhime për të qenë më të kënaqur me shërbimet e ndryshme të administratës. Në praktikë mund ti shikoni se në disa sektorë kemi mbipunësime, ndërsa mungon, për shembull – stafi në arsim apo shëndetësi. Pra, një nga problemet është edhe mos shpërndarja si duhet e administratës, sa realisht kemi nevojë për institucione të caktuara në nivel lokal apo qendror e kështu me radhë”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi.

“Në shtet keni raste të panumërta të nëpunësve administrativ që paguhen pak më shumë se paga minimale, ndërsa në një pjesë e madhe, apo e tërë puna administrative në dikastere të ndryshme, varet nga puna e tyre dhe ato nuk mund të çojnë kokën nga puna, ndërsa nga ana tjetër – kemi edhe raste të nëpunësve administrative që jo për fajin e tyre, kanë pak angazhime ditore. Pra, përgjegjësia nuk mund të kërkohet nga administrata, por nga menaxhimi më cilësor i saj si nga nivelet më të ulëta, të mesme e kështu me radhë”, shton më tej Turkeshi.

Ai vlerëson se racionalizimi dhe jo ulja e numrit të administratës, rritja e mëtejshme e cilësisë së shërbimeve të saja përfshi edhe rritjen e numrit të shërbimeve elektronike , do të mbetet sfidë edhe e qeverive në të ardhmen.

Në ndërkohë, ndër premtimet e Qeverisë së re të mandatarit Dimitar Kovaçevski janë edhe shqyrtimi i disa modeleve për uljen e vëllimit të administratës për 20 për qind përmes bashkimit të funksioneve dhe kompetencave të institucioneve, pensionimit me 64 vjet me përjashtim të profesorëve universitar dhe mjekëve, pakot për transfer në sektorin privat apo pensionimin para kohe etj. Nga ana tjetër, sektori i biznesit më shumë herë ka theksuar se çështja e administratës shtetërore dhe racionalizimit të saj, është mjaft e rëndësishme si në aspektin e harxhimeve, ashtu edhe të kompetencës të të punësuarve në sektorë të ndryshëm prej të cilave varet cilësia dhe shpejtësia e shërbimeve shtetërore që i nevojiten biznesit.

“Madhësia e administratës publike udhëzon se shteti është punëdhënësi më i madh, ndërsa numri i të punësuarve në administratën publike dhe shtetërore nuk përkon me potencialet financiare të shtetit, duke marrë parasysh madhësinë e shtetit dhe vëllimin e mjeteve nga ekonomia që mbushin buxhetin. Andaj nevojitet të krijohet një sistem modern dhe objektiv për matjen e efikasitetit dhe azhornitetit të nëpunësve shtetëror dhe publik gjatë lëshimit të lejeve të ndryshme, për shkak të rritjes së efikasitetit, profesionalizmit dhe transparencës në nivel lokal dhe kombëtar”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. Rritja e efikasitetit të administratës mbështetet edhe në anketat e shumta dhe ankesat e biznesit dhe Këshillit të Investitorë ve të huaj.

Ndryshe, në vitin 2020 kanë qenë 131.183 të punësuar në administratën shtetërore, ndërsa akoma nuk është publikuar numri i të punësuarve në administratë në vitin 2021. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Janar, 2022 20:13