Reformat tatimore, Besimi në debat publik me odat ekonomike

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 21:33

Reformat tatimore, Besimi në debat publik me odat ekonomike

Ministria e Financave filloi me ridizajnimin e sistemit tatimor në vend. Procesi i reformave gjithëpërfshirëse tatimore, synon të sigurojë sistem tatimor të drejtë, efikas, transparent dhe bashkëkohor, i cili do të bazohet në teknologji dixhitale bashkëkohore dhe inovacione në tatimim, ndërsa do të jetë në funksion të rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të qëndrueshme.

Sot, ministri i Financave, Fatmir Besimi, së bashku me drejtoreshën e DAP-it, Sanja Llukarevska dhe drejtoreshën e Drejtorisë Doganore, Sllavica Kutirov, prezantuam Propozim konceptin e reformave tatimore para komunitetit të biznesit. Në këtë takim, morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha shoqatave të odave ekonomike në vend.

“Sot, fillojmë me debatin publik për konceptin e reformave tatimore, të cilat së bashku me reformën në financat publike, do të kontribuojnë në grumbullim më efektiv dhe efikas së të hyrave në buxhet, e më pas këto të hyra që janë para të qytetarëve, do të shfrytëzohen në mënyrë më efikase dhe transparente për sigurimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët, theksoi ministri Besimi dhe shtoi se kjo dëshmon se Qeveria ka kapacitet dhe punon në disa fronte, respektivisht krahas aktiviteteve për ballafaqimin me krizën aktuale energjetike dhe inflacionin, po punon edhe në proceset reformuese.

Ministri i Financave, gjatë prononcimit të tij, theksoi se Maqedonia e Veriut ka një nga nivelet më të ulëta të pjesëmarrjes së të hyrave nga tatimet dhe kontributet në PBB. Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2020, ekziston një hendek i konsiderueshëm ndërmjet pjesëmarrjes së të hyrave nga tatitmet dhe kontributet në PBB në BE-27, si dhe në vendin tonë. Përkatësisht, nga viti 2008 të hyrat e përgjithshme tatimore dhe kontributet sociale kanë pjesëmarrje prej 38.4% në PBB të BE-27, me ç’rast ishte për 10.7 pikë përqindjeje mbi atë që u realizua në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht 27.7%. Ky hendek, gjatë viteve u thellua ku në vitin 2020 ishte 13.8%.

“Koncepti i reformave të politikës tatimore në fushën e tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale, përfshin zgjidhjet e propozuara ligjore, me të cilat rishikohen trajtimet tatimore preferenciale, që çrregullojnë neutralitetin e sistemit tatimor. Për më tepër, ato orientohen drejt rritjes së të hyrave tatimore, duke zgjeruar bazën tatimore dhe duke krijuar hapësirë fiskale për zbatimin e politikës aktive tatimore për të stimuluar investimet në sektorin privat dhe publik në teknologjitë që përkrahin tranzicionin e gjelbër dhe transformimin dixhital. Po ashtu, thjeshtësohen dhe modernizohen tekstet ligjore, forcohet transparenca dhe efikasiteti në zbatimin e rregulloreve nga ana e obliguesve tatimorë dhe administratës tatimore”, theksoi Besimi.

Ky koncept, që pëcakton dinamikën e konceptimit dhe zbatimit të reformave bazohet në pesë prioritete të përcaktuara në Strategjinë për reforma në sistemin tatimor (2021-2025). Ato janë: drejtësia më e madhe në tatimim; efikasiteti dhe efektiviteti më i madh në sistemin tatimor për përmirësimin e arkëtimit të të hyrave; rritja e transparencës tatimore; përmirësimi i cilësisë së shërbimeve dhe afirmimi i politikës tatimore ekologjike. Draft versioni i konceptit, u përpilua në bazë të një analize gjithëpërfshirëse dhe të thellë të sistemit tatimor ekzistues dhe të praktikave më të mira evropiane, si dhe përmes një procesi transparent dhe inkluziv. Po ashtu, gjatë konceptimit të zgjidhjeve të propozuara u morën parasysh edhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare si: FMN-ja; Banka Botërore; OECD-ja dhe BE-ja. Përmes kësaj qasjeje inkluzive, vijohet me prezantimin e këtij koncepti para opinionit publik, me qëllim që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët.

Reforma tatimore përfshin tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale, tatimin mbi vlerën e shtuar, akcizat dhe politikën tatimore ekologjike, ndërsa pjesa më e madhe e ndryshimeve të parapara ligjore planifikohen të zbatohen nga data 1 janar, të vitit 2023. Parashihen zgjidhje që do të kontribuojnë në zgjerimin e bazës tatimore përmes targetimit të trajtimeve tatimore preferenciale, përkatësisht, lirimeve tatimore në sistemin ekzistues së tatimit mbi fitimin, tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi vlerën e shtuar. Parashikohet rishikimi i stimujve tatimorë, me ç’rast do të krijohet hapësirë fiskale për zbatimin e politikës aktive tatimore për stimulimin e investimeve në sektorin privat dhe publik në teknologjitë që përkrahin tranzicionin e gjelbër dhe transformimin dixhital. Në pjesën e TVSH-së, ndryshimet i referohen përforcimit të mëtejshëm të parimeve themelore të sistemit të TVSH-së, si dhe riprecizimit të drejtave dhe detyrimeve të obliguesve tatimorë. Në këtë debat do të trajtohet edhe çështja e tatimit mbi të ardhurat personale në kuadër të tatimimit progresiv dhe tatimit të sheshtë.

Zgjidhjet e propozuara i referohen nevojës për të siguruar drejtësi më të madhe vertikale dhe horizontale në sistemin tatimor, si dhe për të zgjeruar bazën tatimore.

Kjo reformë, po ashtu do të ketë ndikim pozitiv ndaj zvogëlimit të ekonomisë joformale, përkatësisht ndaj formalizimit të saj dhe luftës kundër evazionit fiskal, që do të rezultojë me rritje të të hyrave tatimore, shërbime më cilësore nga institucionet dhe siguri më të madhe sociale për qytetarët. Zbatimi i reformës, duhet të rezultojë me rritje të pjesëmarjes së të hyrave në PBB, ndërsa me këtë edhe me shërbime më cilësore në sektorin publik, infrastrukturë, arsim, shëndetësi më të mirë, dixhitalizim dhe tranzicion të gjelbër, konkurrencë në ekonomi dhe rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 21:33