Refuzoi izolimin, Suedia me shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga Covid-19 në Evropë

Refuzoi izolimin, Suedia me shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga Covid-19 në Evropë

Suedia ka regjistruar mesatarisht 6,25 vdekje në ditë për një milionë vetë për shkak të koronavirusit gjatë javës së fundit. Këtë tregojnë statistikat e «Our World In Data», çka dëshmon sipas mediave në Itali, se modeli suedez, nuk funksionon.

Vendi shënoi një ditë më parë numrin më të madh të jetëve të humbura për frymë në të gjithë kontinentin e vjetër. Në Mbretërinë e Bashkuar, vdekshmëria është 5,75 në ditë për një milion vetë, në Belgjikë 4,6, në Francë 3,49 dhe në Itali, mesatarisht 3, shkruan Corriere della Sera.

Suedia nuk e vendosi kurrë karantinën dhe preferoi të inkurajonte ndjenjat personale të përgjegjësisë tek qytetarët e saj, duke i kërkuar të qëndrojnë në shtëpi vetëm atëherë kur janë të sëmurë e të ruajne në publik distancën sociale.

Vendi regjistroi në prill muajin më vdekjeprurës prej gati tre dekadash. Qasja suedeze ndaj koronavirusit është kritikuar brenda dhe jashtë kufijve, veçanërisht pasi numri i viktimave atje, mbi 3.800, i tejkaloi shume shifrat në vendet nordike fqinje, të cilat vendosën masa të ashpra izolimi.

 
 
Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 20 Maj, 2020 21:35

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.