Refuzuesit e punës, pa asistencë sociale

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 23 Mars, 2023 19:19

Refuzuesit e punës, pa asistencë sociale

Synimi i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, është që sa më shumë qytetarë që janë në sistemin e mbrojtjes sociale apo përfitues të ndihmës minimale të garantuar, të aktivizohen në tregun e punës

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale planifikon që me ndryshimet e Ligjit për mbrojtje sociale të kthejë një pjesë të popullatës së aftë për punë, që aktualisht është pranuese e ndihmës së garantuar minimale sociale. Kjo sipas këtij dikasteri pritet të zbusë edhe mungesën e fuqisë punëtore në shtet. Synimi i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, është që sa më shumë qytetarë që janë në sistemin e mbrojtjes sociale apo përfitues të ndihmës minimale të garantuar, të aktivizohen në tregun e punës. Njëherësh shtohet se qytetarët nuk duhet gjatë të mbesin në sistemin e mbrojtjes sociale, por nevojitet që të fuqizohen ekonomikisht.

Ndër ndryshimet e tjera që parashikohen, paralajmëron ministrja Jovanka Trençevska, është pamundësia që të refuzohet puna, kur ajo do t’i ofrohet nga ana e shtetit për pranuesit e ndihmave sociale. Me fjalë të tjera, pritet shtrëngimi i politikave të ndihmës sociale, për t’u mundësuar përfituesve të ndihmës sociale që të inkuadrohen në tregun e punës. “Ndryshimet në Ligjin për mbrojtje sociale janë në atë drejtim, me qëllim që të mos refuzohet puna nga ana përfituesve të ndihmës minimale të garantuar. Njëherësh duhet të forcojmë kriteret që u lehtësuan për shkak të krizës së KOVID dhe të lirojmë sistemin e mbrojtjes sociale. Pra ka ardhur koha të shtrëngojmë kriteret, dhe ata që janë prej 3 vitesh, që ndihen komod dhe të rehatuar , dhe punojnë në ekonominë gri, t’i kthejmë sërish në tregun e punës me një lloj lehtësimi në zonën e mbrojtje sociale që të mos i humbasin të gjitha të drejtat e tyre”, thekson Trençevska. Sipas saj, synimi është të zvogëlohet shuma e madhe e akorduar nga shteti për asistencë sociale.

Në vend, 36.000 amvisëri pranojnë ndihmë të garantuar sociale. Në rast se edhe kjo masë nuk ndihmon në gjetjen e fuqisë punëtore që mungon në shtet, atëherë do të shqyrtohet edhe ardhja e fuqisë punëtore nga bota e tretë, apo nga shtetet jashtë Evropës. Sistemi i mbrojtjes sociale me reformat në vitin 2019 e rriti ndihmën minimale të garantuar sociale për 300 për qind dhe sot një familje katër anëtarëshe merr rreth 11-12 mijë denarë mbështetje financiare nga shteti vetëm në bazë të ndihmës minimale të garantuar. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 23 Mars, 2023 19:19

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare