Reklamat e “Besës” t’i kalojnë VMRO-DPMNE-së? “Besa” paralajmëron padi ndaj Trajçevskit dhe Kuzmanovskit

Desk
By Desk March 5, 2020 19:47

Reklamat e “Besës” t’i kalojnë VMRO-DPMNE-së? “Besa” paralajmëron padi ndaj Trajçevskit dhe Kuzmanovskit

Vazhdon përpjekja që Lëvizjes Besa t’i hiqet epiteti si parti opozitare e me këtë t’i merret e drejta për Këshillat zgjedhorë dhe minutat e reklamimit. Nëse këto dyja dje i kërkoi Aleanca për Shqiptarët, tani Agjencia e mediave po përpiqet që minutat e reklamimit që i takojnë dy partive më të mëdha opozitare, të gjitha t’i kalojnë partisë së parë më të madhe opozitare, që i bie të jetë VMRO-DPMNE-ja. Këtë ASHMAA po përpiqet ta arrijë përmes këtij draft-udhëzuesi se si të zbatohet neni 75-gj pika 1 e Kodit zgjedhor.

“Në maksimum 4 minutat dedikuar për dy partitë më të mëdha opozitare, si pjesëmarrëse në procesion zgjedhor, të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë më së shumti vota, do të emitohet reklamim i paguar politik i partisë më të madhe në opozitë ose koalicionit të saj për Zgjedhjet Parlamentare të 2020-tës”, thuhet në Draft-udhëzimin për limitet për reklamimet e paguara politike për zgjedhjet 2020.

Për të marrë më shumë sqarime rreth kësaj, u përpoqëm të kontaktojmë me Kryetarin e Agjencisë së mediave, Zoran Trajçevskin, por i njëjti nuk na ktheu asnjë përgjigje. Trajçevskin e akuzon edhe Sekretari gjeneral i “Besës” Arjanit Hoxha.

“Trajçeski dhe kompania, përmes shkeljeve të mëdha të Kodit Zgjedhor, duke dashur të imponojnë një praktikë të re ku udhëzimet i bëjnë më të vlefshme sesa ligjin, por duke pasur parasysh që Trajçeski është gjithashtu një mbetje e një regjimi, ku të gjithë në pushtet ishin mbi ligjin, nuk është për t’u habitur që vazhdon me shkelje të mëdha në këtë rast të kodit zgjedhor”, theksoi Hoxha.

Hoxha përmes telefonit shkurt na konfirmoi se “Besa” do të ngre padi penale si ndaj Trajçevskit po ashtu edhe ndaj Kryetarit të Këshillit Llazo Petrushevski, të cilët sipas Hoxhës, pa i parë radhitjet në lista zgjedhore kanë paragjykuar se di do të jetë dalja e partive në zgjedhje. E partneri i koalicionit të “Besës”, kreu i LSDM-së Zoran Zaev, thotë se ligji është “i qartë si drita” se kush është parti opozitare e kush në pushtet.

“Vetëm lexojeni (ligjin) dhe mendoj se është i qartë si dita. Në fund unë pres që të ketë interpretim ligjor të këtyre punëve. Ligji këtë nuk e bën por individë i orientojnë për dekurajim të koalicioneve në vend, në një shoqëri multietnike, kjo nuk na shpie drejt së mirës. Nga ana tjetër nëse nuk e respektoni ligjin mund të arrini në një përfundim që e vetmja opozitë të jetë VMRO-DPMNE-ja, që nuk është kështu. Deri më sot Besa dhe Aleanca janë opozitë në shtet”, deklaroi Zaev.

E pyetën DPMNE-në se a mendojnë se Besës i takojnë minutat e reklamimit dhe këshillat zgjedhorë si parti opozitare, e përgjigje të prerë nuk morëm.

“Për këtë ka Kod zgjedhor që është qartë i definuar dhe në mënyrë precize shkruan se si duhet të ndahen këto punë kështu që në lidhje me këtë çështje do t’u udhëzoja ta parashtroni tek institucionet kompetente që duhet ta rregullojnë këtë”, potencoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Tentuam të kontaktojmë me Kryetarin e KSHZ-së Oliver Derkovskin por nuk na u përgjigj. Dje duke u bazuar edhe në një deklaratë të tij, Aleanca për Shqiptarët kërkoi që anëtari i Këshillit Zgjedhorë, të mos i takojë me “Besës” sepse ajo tashmë ka lidhur koalicion parazgjedhor me partinë në pushtet LSDM-në. Të njëjtën gjë e thanë edhe për minutat e reklamimit që i takojnë partive opozitare. Në ndërkohë TV21 tashmë ka mësuar se KSHZ i është drejtuar “Besës” me kërkesë për të propozuar anëtarin dhe zëvendësin për Këshill Zgjedhor.

Desk
By Desk March 5, 2020 19:47