Republika e Sllovenisë me mbështetje të plotë për referendumin në Maqedoni

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 12 Shtator, 2018 19:15

Republika e Sllovenisë me mbështetje të plotë për referendumin në Maqedoni

Ministri i Diasporës, Edmond Ademi, i shoqëruar nga drejtori i Agjencisë për Emigracionin e Republikës së Maqedonisë, Nikolla Shalvarinov, u takua sot me presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor dhe kryetarin e Kuvendit kombëtar të Republikës së Sllovenisë, Dejan Zhidan. Në këto takime, siç njoftoi pres shërbimi qeveritar, u bisedua edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, zhvillimin e mëtutjeshëm në më shumë fusha me interes të përbashkët, proceset integruese në Republikën e Maqedonisë në BE dhe NATO si dhe për gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë me theks të veçantë për Marrëveshjen në mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë dhe mbajtjen e referendumit.

Të dy bashkëbiseduesit i dhanë përkrahje të fuqishme Republikës së Maqedonisë në proceset euroatlantike, duke konstatuar se Republika e Sllovenisë në të gjitha takimet me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, e përkrah Republikën e Maqedonisë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Ministri Ademi, dy bashkëbiseduesve i’u shprehu falënderim për marrëdhëniet miqësore të të gjithë institucioneve të Republikës së Sllovenisë, të dhënë në të gjitha takimet në nivel presidencial dhe kryeministror si dhe në nivel resoresh në raport me çështjet përmbajtjesore, të cilat Republika e Maqedonisë duhet t’i realizojë deri në fund të këtij viti.

Pahor dhe Zhidan, shpalosën sfidat e caktuara me të cilat Republika e Maqedonisë do të ballafaqohet drejt proceseve integruese, me të cilat paraprakisht është ballafaquar edhe Republika e Sllovenisë. Bashkëbiseduesit u pajtuan me atë se anëtarësimi i ardhshëm i RM-së në BE dhe NATO, paraqet përfitim historik, por edhe përgjegjësi të madhe për periudhën e ardhshme. Gjatë kohës së bisedimeve u hapën çështje të ndryshme me të cilat RM do të ballafaqohet në të ardhmen, por mjeti i vetëm për realizimin e tyre duhet të jetë dialogu i gjerë shoqëror me të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë.

Njëkohësisht, dy bashkëbiseduesit kërkuan edhe përfshirje konkrete të tyre, së bashku me institucionet shtetërore të Republikës së Sllovenisë që të ndihmojnë nëpërmjet transmetimit të përvojës së tyre, me qëllim të lehtësohet rruga drejt BE-së dhe NATO-s. Në takimet në fjalë u diskutua edhe për rolin e Diasporës nga Republika e Maqedonisë në shoqërinë sllovene dhe integrimi i tyre pozitiv dhe format e mundshme në përfshirjen në bashkëpunimin reciprok. Ademi Pahor dhe Zhidan sollën përfundim se referendumi ka rëndësi të jashtëzakonshme historike për RM-në në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s dhe nuk do të ketë përsëritje tjetër dhe se ai duhet të përkrahet edhe nga opozita dhe pozita si dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 12 Shtator, 2018 19:15