Reshat Ameti – magjia 30 vjeçare e kanavacës

Desk
By Desk October 25, 2020 19:25

Reshat Ameti – magjia 30 vjeçare e kanavacës

Shkas për bisedën tonë me artistin dhe profesorin respektibil Reshat Ameti, është eskpoziaty e radhës me rastin e 30 vjetorit të krijimtarisë së tij të bujshme në pikturë. Profesor së pari do të doja t’Ju falënderoj që ndatë nga koha Juaj e çmuar që tu përgjigjeni dissa pyetjeve, dhe njëherit do të doja t’ju përgëzoj për ekspozitën Tuaj jubilare.
Z. Reshat Ameti

Profesor, si do ta përshkruanit shkurtimisht evolucionin e krijimtarisë tuaj në pikturë?
Zhvillimin dhe qasjen time ndaj pikturës, ndoshta do ta përshkruaja shkurtimisht, ashtu si pyetja juaj – “Evolucion”.
Më shumë kam preferuar që të vij te e vërteta ime artistike gradualisht dhe me këmbëngulje, sesa të bëj ndryshime dramatike në qasje, ide, etj. gjë që është diçka e zakonshme në ditët e sotme! Që nga ditët e mia studentore, kam pasur një linjë lëvizjeje, dhe kjo është drejt krijimit origjinal dhe duke lënë gjurmën time në pikturë. Në fillim, interesi im ishte përqendruar kah surrealizmi, më saktësisht kah Salvador Dali, por idetë më shumë i realizoja në kokën time sesa në pëlhurë. Kështu që, gradualisht, më tërhiqte gjithnjë e më shumë realizimi gjeometrik në prapavijë i kompozimit surrealist, sesa ideja qendrore bartëse e narracionit njerëzor në forma të pazakonta surrealiste. Pastaj, fillova me një qasje më serioze të gjeometrisë me të cilën u diplomova në “Gjeometri lirike” dhe kjo më mbajti për një kohë të gjatë. Gradualisht fillova të përqendrohem në ciklin “Nga tradita” që është i pranishëm deri më sot, dhe pastaj nga ky cikël doli një cikël i ri, i quajtur “Depërtimi i dritës”. Ka edhe cikle të tjera kërkimore që ishin në drejtim të mbajtjes së hapit të filozofisë së artit dhe të gjitha këto cikle janë të lidhura me njëri-tjetrin, si një lumë që rrjedh vazhdimisht drejt oqeanit të përvojave estetike të artit …
Ndryshimet që kanë ndodhur, ishin më shumë pasojë e një reflektimi spontan të përjetimit dhe realizimit të fenomeneve artistike, sesa një mendimi racional për ndryshim, nevojën për të qenë në “tufën” e normave tashmë të imponuara për art të suksesshëm! Unë mendoj se talenti është pasojë e trashëgimisë, e gjenit, dhe jo rezultat i mjediseve shoqërore dhe sociologjike. Sigurisht, edhe ato kanë pasur ndikim në zhvillim, por kjo nuk ka qenë thelbësore!
Me çfarë e lidhni nocionin krijim në art?
Krijimi është kategori e Zotit. Ne artistëve na pëlqen të themi se jemi këtu pranë Zotit. Argumenti për këtë është se edhe ne krijojmë! Nuk do të ishte pretencioze të thuhej se ka ndoshta një të vërtetë këtu. Unë, përmes artit figurativ, muzikës, letërsisë, në fakt kaloj nëpër përvoja magjike hyjnore dhe perceptime të të gjithë nektareve të jetës. Përmes artit, njeriu ndjen bukurinë dhe të vërtetën e ekzistimit, të gjitha dilemat janë të panevojshme dhe zhduken nga shkëlqimi i pastër i artit, i cili e rrethon në tërësi trupin dhe shpirtin. Mendoj se vetëm arti kulmor i hap portat e Hyjnisë.

Cila është teknika juaj e preferuar në pikturë?
Unë zakonisht përdor teknikën vaj në kanavacë, pastaj akrilik, dhe gjithsesi teknikën e kombinuar e cila gjithashtu ofron mundësi të mira për shprehje.
Cila është mënyra juaj e krijimit në vijimësi, a është e zakonshme për shembull ide, skicë dhe realizim apo ndoshta e keni mënyrën tuaj?
Mënyra ime e punës! Në fillim e kam idenë dhe mënyrën e imagjinuar të realizimit të mendimit artistik, por gjithashtu, ajo bardhësi e kanavacës më tërheq si një gravitet i fortë për të transferuar ngjyra, lëvizje dhe kur të hyj plotësisht në atë ekstazë krijuese, vepra e merr formën e qartë artistike. Dikur bëja skica, vizatoja dhe pikturoja në letër, karton, por pastaj kuptova që në fakt nuk ekziston skica! Nuk ekziston përgatitja për realizimin e një vepre me ndonjë konturë artistike paraprake të veprës që duhet të realizohet! Gjithçka që bën, tërheq ndonjë vijë, bën ndonjë lëvizje, etj. është në fakt një vepër e realizuar! Për shkak të specifikës së kohës, ritmi shpirtëror dhe biologjik, çdo moment, ndjenjë, shprehje është unike dhe e papërsëritshme.
Dhe për fund, çfarë do t’i porositnit artistët e rinj, cili është mesazhi juaj?
Ata duhet ta kuptojnë se janë të privilegjuar që kanë një talent për art figurativ, sepse është një dhunti e rrallë! Të jenë vetvetja dhe të jenë këmbëngulës në atë që bëjnë. Gjithashtu, e rëndësishme është të jenë të sinqertë me veten e vet, duhet të investojnë jo vetëm mund, por edhe dashuri në të.

Ekspozita për publikun e gjerë do të jetë në dispozicion nga 28 tetor 2020 në Hamamin e Daut Pashës për një muaj të tërë, çdo ditë të javës, përveç të hënës, nga ora 10 deri në ora 18.
Vizitorët duhet tu përmbahen protokolleve për siguri të siguruara të përcaktuara nga Ministria dhe Qeveria. Është e detyrueshme mbajtja e maskës mbrojtëse, dezinfektimi dhe matja e temperaturës së trupit.

Intervistë për Divianarts

Përkthehu: Agim Mustafai

Desk
By Desk October 25, 2020 19:25