Retrospektivë, 16 vjet udhëtim politik i Ziadin Selës!  

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Gusht, 2022 22:42

Retrospektivë, 16 vjet udhëtim politik i Ziadin Selës!  

Editorial: Redaksia Flaka

Përmes një dalje publike mesditën e së dielës, Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, bëri të ditur vendimin për dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Dorëheqja erdhi pas rezultateve të djeshme për Këshillin e Komunës së Tetovës, ku partia e tij mori vetëm 777 vota dhe nuk arriti të siguron asnjë ulëse në përbërjen e re të Kuvendit komunal të Tetovës, shkruan Flaka   

Udhëtimi në politikë i Ziadin Selës!  

Nga viti 2015 kur inicoi Lëvizjen për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, për ta formalizuar pastaj si partia politike LR-PDSH dhe më vonë si Aleanca për Shqiptarët – ASH, Ziadin Sela llogaritet si drejtues i subjektit politik që doli si frakcion i PDSH.

I lindur më 1 nëntor 1972 në Livadhi, Strugë, Ziadin Sela u diplomua si doktor i mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës dhe është i specializuar në mjekësinë e brendshme në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Shkupit.

Para vitit 2006 kur dhe mori angazhime politike, ka qenë mjek në Spitalin e Qytetit Strugë dhe Qendrën Emergjente.

Rrugëtimi i tij politik filloi në Partinë Demokratike Shqiptare. Në qeverisjen 2006-2008, Ziadin Sela ishte drejtor i Inspektoratit Sanitar Shtetëror.  

Në vitin 2009 Ziadin Sela zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, dega në Strugë.

Në përbërjen parlamentare  2011-2013 Sela u zgjodh deputet i Parlamentit te Maqedonisë së Veriut në listën e PDSH.  

Me 14 Prill – 2013 dhe deri në vitin 2016 Ziadin Sela ishte kryetar i Komunës së Strugës, i zgjedhur në Zgjedhjet Lokale të vitit 2013 si kuadër i Partisë Demokratike Shqiptare.

Duke qenë kryetar i Strugës, në vitin 2015, Ziadin Sela inicoi Lëvizjen për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, për ta formalizuar pastaj si partia politike LR-PDSH.

Me 21 Mars 2015, delegatët në Kongresin e lëvizjes për reforma me vota të fshehta zgjodhi Ziadin Selën për kryetar të PDSH-së. Por në instanca gjyqësore, beteja për kreun e PDSH u humb dhe më pas në vitin 2016, Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare miratoi emërtimin zyrtar Aleanca për Shqiptarët (ASH).

Rizgjidhet deputet në vitin 2016 por tani si lider i ASH. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 Sela rikandidoi për kryetar të Strugës, por pësoi disfatë nga rivali i tij, Ramiz Merko.

Ngjarjet e përgjakshme në Kuvend me 27 Prill – 2017

Më 27 prill të 2017 në Kuvendin e Maqedonisë, një nga netët e përgjakshme, Sela u vu cak i sulmit të turmave dhe maskave të organizuara. Protestuesit të cilët dhunshëm u futën në hapësirat e Parlamentit, sulmuan deri në alivanosje deputetin Ziadin Sela.

Pastaj, për gjashtë muaj, Aleanca për Shqiptarët e kryesuar nga Ziadin Sela, u bë pjesë e koalicionit qeveritar me LSDM dhe BDI deri në dhjetor të vitit 2017, kur pas zgjedhjeve lokale lindën mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit qeveritar dhe erdhi deri te fundi i bashkëpunimit.

Ziadin Sela është i martuar dhe është babai i dy fëmijëve. Redaksia Flaka

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Gusht, 2022 22:42

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare