Rexhepi: Qetësi përpara furtunës

Rexhepi: Qetësi përpara furtunës

“Kur njeriun e godet dëmi, ai na lut – qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë; e kur Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon sikur të mos na ishte lutur fare për dëmin që e kishte goditur…” (sure Junus: 12)

Shkruan: h. Sulejman ef. Rexhepi

Asnjë njeri nuk e ka të lehtë përballjen me furtunat që e godasin gjatë jetës. E, ato goditje bëhen edhe më të fuqishme dhe më të rënda në këto kohë, kur çdokush sheh interesin e vet dhe nuk brengoset për fatin e keq të vëllait, të shokut, të mikut, të komshiut.

I lënë në vetmi, pa mbrojtje e përkrahje, një njeri që gjendet në situatë të këtillë, më në fund i drejtohet Krijuesit. Dhe, ndihma e ngushëllimi vijnë patjetër.

Por, pse njeriu i drejtohet Zotit “më në fund”, atëherë kur të gjitha dyert në të cilat troket i përplasen përpara fytyrës? Pse e bëjmë në fund atë gjë, të cilën do të duhej ta bënim në fillim? Të mos harrojmë: fjala është për Sundimtarin e Botëve, i cili di çdo gjë dhe mund të ndryshojë çdo gjë.

Një lutje e sinqertë, një çast i përkushtimit tonë të tërësishëm ndaj Allahut (xh. sh.), i ndihmon rikthimit të shpresës në jetën tonë, sado që të jetë ajo e vështirë dhe e ngarkuar nga hallet dhe brengat. Ndihma e Allahut vjen pikërisht në çastin më të duhur: ajo ndriçon si rreze dielli dhe na e tregon rrugën e drejtë, na mundëson fuqishëm që mysafirllëku ynë në këtë botë të bëhet më i bukur e më i lehtë, më kuptimplotë.

Mjerisht, pikërisht kur Zoti i ofron njeriut mëshirën e vet, jo rrallë ndodh që ai ta harrojë ndihmën e vetme që i ka ardhur atëherë kur ka qenë i humbur, atëherë kur qenë i anashkaluar nga njerëzit, atëherë kur ka qenë i dëshpëruar e i zhgënjyer nga shokët dhe miqtë e rrejshëm. Kur furtuna kalon, të tillët – ata pra që janë larg Zotit – mosnjohjes dhe mospranimit i shtojnë edhe harresën e tyre. Por ama, nuk do të duhej të ishte kështu, sepse furtunat mund të ngrihen sërish dhe fatkeqësitë sërish mund të godasin papritur. Ku do të ishin mbështetur të tillët atëherë?

Andaj, mos të harrojmë: shpëtimi është te Krijuesi dhe vetëm Ai është Udhëheqësi që di të na udhëzojë se si t’i kalojmë pengesat. Nëse e kemi kujtuar fuqinë e Allahut atëherë kur kemi menduar se jemi të mbuluar nga begatitë e kësaj bote, Ai do të na ndihmojë e do të na udhëzojë atëherë kur nuk do të mund të shohim dritën në horizont. Ai dhe vetëm Ai është përgjigje për të gjitha pyetjet dhe dilemat tona.

Në këtë vazhdë, më duhet të përkujtoj se një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, pjesë e së cilës jemi, për fat të keq ende nuk po e flak shpirtngushtësinë dhe bajraktarizmin. Kështu, të lënë në mëshirën e atyre që s’çajnë kokën për forcimin dhe mbarëvajtjen e përgjithshme dhe tentojnë ‘të bëjnë Zotin’, duke harruar se pushteti i njeriut është kalimtar, të tillët – e me ta edhe shumica prej nesh, për fat të keq! – gjithnjë e më shumë po zhyten në llumin e paqartësisë. Tensionimet e brendshme po rrezikojnë të përfshijnë çdo segment të jetesës sonë; mendja racionale po u lë hapësirë përçarjeve, fitneve, sfidave dhe dilemave dhe kështu po e shtojnë hamendjen dhe pasigurinë. Në një situatë të këtillë – si mund të shohim dritë në horizont?

Mendoj se kjo mund të bëhet duke mos i lënë anash detyrat dhe duke i intensifikuar angazhimet tona për këtë botë dhe për botën tjetër. Mbështetja jonë e përhershme tek Allahu (xh. sh.), dashuria dhe besimi ndaj Zotit, janë çelësi për t’i dhënë fund çdo halli e malli. Vetëm Ai e meriton besimin dhe dashurinë tonë të përhershme dhe të pa rezervë.
Të mos harrojmë: Mëshira e Tij është e paskajshme…

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 11 Shkurt, 2020 23:16

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.