Riparohen dëmet nga era e fuqishme

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 25 Shtator, 2018 15:31

Riparohen dëmet nga era e fuqishme

Një vajzë 13 vjeçare mbeti e lënduar si pasojë e erës së fortë që kaploi vendin një ditë më parë. Vajza u lëndua nga rrezimi tendës së lojërave në lagjen fushë Tophanë. Nga Spitali i përgjithshëm i Qytetit “Shën Naum Ohridski” lajmëruan se vajza ka marrë lëndime në kokë por është në gjendje stabile. Era e fuqishme po ashtu ka shkaktuar probleme në disa pjesë të kryeqytetit, duke shkulur pemë dhe duke thyer degë të shumta. Në një pjesë të Lagjes Karposh të Shkupit është rrëzuar një kulm, ndërsa në shumë pjesë të tjera janë dëmtuar kabllot elektrike. Gjatë ditës, dëmet janë rikuperuar nga kompanitë për mirëmbajtje. Dëme ka pasur edhe në Tetovë ku një magazinë duhani në fshatin Vrapçisht është shkatërruar plotësisht siç shihet edhe nga video-materiali që siguroi Alsat. Dëme kishte edhe në Kumanovë por ata janë tejkaluar lehtë. Nga EVN Maqedoni deklaruan se po punohet akoma për riparimin e dëmeve në rrjetin e rrymës elektrike.

Erërat e fuqishme që ndodhën në disa rrugë të rajonit të Shkupit, Kumanovës, Pellagonisë dhe pjesës lindore të Maqedonisë shkaktuan këputje të kabllove. Ekipet ishin vazhdimisht në teren. Sot vazhdohet me punime për riparimin e dëmeve që u shkaktuan dje dhe për këtë shkak edhe ka ndërprerje të caktuara të furnizimit të energjisë elektrike”- theksoi Vjosa Selimi, EVN.

Ndërkohë, nga Enti hidrometereologjik thonë se ditëve në vijim moti do të jetë stabil me reshje të përkohshme të shiut. Sipas tyre, intensiteti i erërave do jetë shumë i ulët në ditët në vijim.

Edhe gjatë ditës së nesërme do të vijojë të fryj erë e fortë në drejtimin veri-jug, megjithatë, në krahasim me erën që e kishim gjatë ditës së djeshme dhe sot në orët e paradites do të jetë me intensitet më të ulët. Në aspektin e temperaturave nesër temperaturat ditore do të sillen prej 14 deri 22 gradë, ndërsa temperaturat e mëngjesit do të sillen prej 1 deri në 10 gradë. Kohë stabile të thatë do të kemi deri të shtunën. Të shtunën në orët e pasdites do ketë vranësira. Do të ketë kushte për shi lokal, ndërsa edhe të dielën dhe të hënën do kemi mot të ndryshueshëm me shi lokal kryesisht”- u shpreh Lençe Risova, Enti hidrometreologjik.

Për të ndjekur situatën një ditë më parë ishte aktivizuar edhe shtabi i krizës. Erëra të fuqishme u regjistruan edhe në Kosovë e Shqipëri.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 25 Shtator, 2018 15:31