RMV, arrin në 49 numri viktimave nga koronavirusi

Desk
By Desk April 17, 2020 17:00

RMV, arrin në 49 numri viktimave nga koronavirusi

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar edhe tri viktima nga koronavirusi me çka numri i të vdekurve ka arritur në 49.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se viktimat janë nga Kumanova, 85-vjeçar, Krusheva, 77-vjeçar dhe Llabinusha e Strugës, 64-vjeçar.

Ky i fundit ka ndërruar jetë para tre ditëve por të premten është konstatuar se ka qenë i infektuar me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Sipas raportit të Ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 36 raste të të infektuarve me koronavirues duke e çuar numrin në 1,117. Në Shkup janë regjistruar 22 raste ndërsa në Kumanovë katër, që është edhe numri më i vogël që nga përhapja e virusit në këtë qytet.

Gjatë orëve të fundit 18 persona janë shëruar ndërsa numri i përgjithshëm i tyre është 139.

Ndërkohë sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 83 persona nuk e kanë respektuar orën policore, 56 prej tyre janë shoqëruar në stacione për procedurë të mëtejmë kundërvajtëse. Kjo Ministri ka njoftuar se 163 personave u ka dhënë vendime për izolim kurse 47 të tjerëve për vetizolim.

Nga e premtja në orën 16:00 në gjithë territorin e Maqedonisë Veriore ka hyrë në fuqi vendimi për ndalimin e tërësishëm të lëvizjes së qytetarëve që do të zgjasë deri të martën në orën 05:00.

Kjo ka bërë që në rrugët kryesore të Shkupit, por edhe të qyteteve tjera të krijohen kolona të gjata makinash nga qytetarët të cilët ishin dalë për t’u furnizuar me ushqime dhe ilaçe nëpër markete e farmaci.

Institucionet u kanë bërë thirrje besimtarëve të krishterë që gjatë ditëve të Pashkëve Ortodokse të respektojnë masat e qeverisë dhe të mos dalin nga shtëpitë e tyre, në të kundërtën do të përballen me masa ndëshkuese.

Desk
By Desk April 17, 2020 17:00