Rrethi i dytë i presidencialeve, Selmani: ASh e BESA të motivojnë votuesit të votojnë

Desk
By Desk May 1, 2019 19:14

Rrethi i dytë i presidencialeve, Selmani: ASh e BESA të motivojnë votuesit të votojnë

Votuesit shqiptarë do të determinojnë fatin e zgjedhjeve presidenciale në rrethin e dytë me arritjen e censusit prej 40%. Gazetari, Naser Selmani, në emisionin debativ në “Argument” në TVM2, thotë se opozita shqiptare nuk duhet të qëndrojë indiferente, por do të duhet të motivojë votuesit që të dalin dhe votojnë. Sipas Selmanit, që zgjedhjet të jenë të suksesshme, mjafton gjysma e votës së trupit votues që mbështetën Rekën.

“Ata kanë mundësinë që në mënyrë të heshtur me anëtarësinë e tyre, me strukturat e tyre të partive, t’i motivojnë dhe unë mendoj se do ta bëjnë këtë punë. Nuk mund të prisni ju prej Selës dhe Kasamit që gjithë ata 80 mijë votues që dolën votuan Rekën, që ata t’i kontrollojnë dhe ata nuk i kontrollojnë, gjysmën e tyre nëse ata i kontrollojnë, mjafton, dhe nëse gjysmën e tyre e motivojnë që të dalin, mendoj se do të kryejnë një punë të mirë”,- tha gazetari, Naser Selmani.

SELIMI: VOTUESIT TË MOTIVOHEN EDHE NGA PUSHTETI

Opinionisti, Sefer Selimi, thotë se motivimi i qytetarëve shqiptarë që mos të bojkotojnë zgjedhjet duhet të burojë edhe nga partitë në pushtet, të cilët nuk do t’i përvetësonin votat e kandidatit konsensual me përfundimin e zgjedhjeve.

“Rolin kryesor duhet ta kenë edhe BDI bashkë me LSDM-në dhe Alternativën dhe gjitha partitë tjera që janë në qeveri, të dëshmojnë qartë që nuk do të thirren në votat e Pendarovskit pas rrethit të dytë sikur janë votat e tyre dhe kjo është një nga elementet kyçe ku ne tani shohim një tendencë për bojkot të qetë”,- u shpreh opinionisti, Sefer Selimi.

BAKIU: SHQIPTARËT VOTOJNË PËR IDENË, JO KANDIDATIN

Por, profesori universitar, Qashif Bakiu, konsideron se liderët opozitarë nuk do të ndikojnë mbi elektoratin, ndërkaq një pjesë e mbështetësve të Rekës, në rrethin e dytë do të përkrahnin idenë pro-europiane, por jo edhe kandidatin dhe partitë përreth tij.

“Mekanizmi për të bindur këto dy liderë, sidomos zotin Sela dhe Aleancën për të përkrahur në mënyrë të hapur kandidatin e shumicës, mendoj se do të jetë i vështirë, sepse nuk mendoj se mund të krijojë një pozicion, mbi gjithë atë të kaluarën, duke u nisur nga fakti se zoti Sela ishte një nga protagonistët kryesorë të ngjarjes së ndryshimeve. Sa do të jetë ajo pjesë që do të dalë nga trupi votues i zotit Reka në zgjedhje mendoj se më afër qëndron kandidatit të LSDM-së, Pendarovski, jo se ata qëndrojnë më afër LSDM-së, por qëndrojnë më afër idesë proeuropiane”,- tha profesori universitar, Qashif Bakiu.

Panelistët konsiderojnë se përmbyllja me sukses e zgjedhjeve do t’i hapte vendit rrugën e procese integruese dhe vendi të marrë ftesën për çeljen e bisedimeve me BE-në, nëse jo në qershor, atëherë në shtator. (TVM2)

Desk
By Desk May 1, 2019 19:14