Rritet kostoja e shëndetit

Desk
By Desk November 18, 2020 20:11

Rritet kostoja e shëndetit

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti, thotë për KOHA se shërbimet mjekësore të shëndetit publik nuk dallojnë aspak prej atyre private, sepse trajtimi i sëmundjeve është i njëjtë, qofshin në spitale shtetërore apo private, pasi siç shprehet ai, stafi mjekësor tek privatët ka dalë pikërisht nga Klinikat Universitare Shtetërore. Megjithatë, mjekë të tjerë thonë se kushtet e punës, lehtësirat burokratike, pastërtia dhe aparatura moderne ka bërë që të rritet besimi te privatët dhe të ulet tek shëndetësia publike.

Në Maqedoninë e Veriut, të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se 30 për qind e qytetarëve shfrytëzojnë shërbimet dhe kapacitetet e shërbimeve mjekësore nëpër klinikat private të vendit, ndërkohë që numri më i madh i pacientëve që shfrytëzojnë këto kapacitete shëndetësore janë familje, të cilët kanë buxhet financiar më të lartë në dallim prej të tjerëveNë ndërkohë, nga 280 mjekë, të cilët gjatë vitit 2017 kanë dhënë provimin për licencën themelore për të ushtruar punën si mjek, 180 prej tyre kanë kërkuar të largohen nga Maqedonia për të ushtruar profesionin në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në Gjermani.

Shërbimet mjekësore të shëndetit publik pothuajse janë në konkurrencë me shërbimet e klinikave private në vend. Sipas statistikave paraprake, numër i madh i qytetarëve – përkundër çmimeve të larta të këtyre shërbimeve, trajtimin shëndetësor e besojnë dhe e vijojnë në spitalet private. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti, për KOHA thotë se shërbimet mjekësore të shëndetit publik nuk dallojnë aspak prej atyre private, sepse trajtimi i sëmundjeve është i njëjtë, qofshin në spitale shtetërore apo private, pasi siç shprehet ai, stafi mjekësor tek privatët ka dalë pikërisht nga Klinikat Universitare Shtetërore. “Shëndetësia në vend ka sistem të vjetër të etabluar ndër vite, gjegjësisht stafet mjekësore profesionale i kanë përballuar të gjitha sfidat duke filluar prej sëmundjeve infektuese e kështu me radhë. Sa i përket dallimeve në mes spitaleve shtetërore dhe atyre private, parimisht nuk ka ndonjë dallim, pasi trajtimi i sëmundjeve është në kapacitete të njëjta. Spitalet private, gjegjësisht mund të përdorin paksa kushtet më të mira që i ofrojnë, objekte e tyre më moderne dhe natyrisht në të shumtën e rasteve – shfrytëzuesit e këtyre spitaleve janë personat që kanë kushte dhe kapacitete financiare”, thotë Memeti, ndërsa shton se shërbimi klinik medicinal, është i njëjtë gjithandej, pasi “të gjithë mjekët profesionistë kanë dal nga Klinikat Universitare Shtetërore, që më pas kanë përvetësuar punën profesionale duke u avancuar dhe inkuadruar nëpër spitalet private”.

Traumatologu Ilber Besimi, njëherësh pjesë e Odës së Mjekëve të Maqedonisë, informon se akoma nuk ka numër të saktë të lëvizjeve të mjekëve nga shëndetësia publike në atë private, pasi në të shumtën e rasteve, siç thotë ai, këto lëvizje bëhen për qëllime individuale. “Sipas numrit të vërtetimeve që kërkohen nga Oda e Mjekëve, për tre vitet e fundit – numri është rreth 180 vërtetime, ndërsa për këtë vit (2020) – ky numër është më i vogël dhe deri tani janë lëshuar rreth 60 vërtetime, por kjo nuk na thotë se të gjithë kolegët ikin dhe punojnë jashtë vendit. Numrin e lëvizjeve të mjekëve nga spitalet publike në ato private nuk e kemi të saktë, pasi shumë kolegë nuk i lajmërojnë ndryshimet e vendeve të punës, megjithëse lëvizje gjithsesi ka në të dy drejtimet. Lëvizjet e fundit të stafit mjekësorë nga spitalet publike në ato private, sipas analizave tona, mendojmë se u bënë për shkaqe individuale, lodhjes, pagave më të mira ndoshta. Ndërsa sa i përket pacientëve që kërkojnë kurim në Shkup – janë një grupe prej tyre që kanë humbur besimin në ndonjë departament në provincë dhe një grup tjetër për shkak të dispozicionit të të gjitha specialiteteve mjekësore dhe aparaturës më të avancuar, dhe kjo si rezultat i fushatave negative që bëhen për spitalet tjera nga njëra anë dhe së dyti – nga mos zhvillmi proporcional i gjitha spitaleve rajonale dhe lokale në territorin e Maqedonisë së Veriut”.

Ndërkaq, mjeku i përgjithshëm Besfort Emrullai deklaron se shërbimet mjekësore në spitalet shtetërore nuk janë aspak në nivel të duhur dhe se shërbimi është i ulët. “Natyrisht që në spitalet private dallon stafi mjekësor ose personeli spitalor, duke filluar nga infermierët, higjiena spitalore, sjellja dhe trajtimi mjekësor. Fatkeqësisht, në spitalet shtetërore nuk ka disiplinë përkatëse dhe shërbime ose oferta të mira, nuk po përdoren rregullat e duhura nga personeli, duke filluar nga higjiena, kushtet e objekteve, ushqimi pacientëve, sjellja etj”. Emrullai gjithashtu përmend se nga mungesat e shumta që paraqiten në spitalet shtetërore, pacientët detyrohen të drejtohen nga shërbimet e spitaleve private. “Nga mungesa adekuate e administratës shëndetësore, pritja e gjatë për kontrolle nëpër aparatet shëndetësore për trajtimin e sëmundjeve, mungesa e parkingjeve nëpër spitale, mungesa e etikës mjekësore, unanimisht detyron qytetarët të drejtohen nga spitalet private për të gjetur zgjidhje mbi problemin e tyre që e posedojnë” deklaron Emrullai.

Nga ana tjetër, Armelind Halili nga Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë, për KOHA thekson se disa dallime nga ku mund të krahasojmë shërbimet spitalore. “Dallimet kryesore janë të shumta, duke filluar nga mospasja e listave për pritje ose vonim të shërbimeve mjekësore, qofshin për dhënien e medikamenteve apo për ndonjë ndërhyrje kirurgjikale, rreziku i lartë i infeksioneve brenda objekteve të papastra, shërbimet administrative e kështu me radhë nga ku në ato private natyrisht i ke në formë shumë më të lehtë”. Halili thotë se shumë kosovarë mjekohen në Shkup, e sidomos nëpër klinikat private, por potencon se çmimet ofruese janë skajshmërish të larta dhe marramendëse.

“Shumë qytetarë të Kosovës mjekohen nëpër klinikat private në Shkup, nga ku ata për disa mjekime të thjeshta – qofshin edhe kontrolle normale, detyrohen të paguajnë shuma parash që shpeshherë është diçka jashtë konceptit të normales. Mjekësia si profesion human nuk duhet shndërruar në benefite apo komercionalizëm financiar”, shprehet Halili. Teknikisht, ndryshimi midis spitaleve private dhe spitaleve publike qëndron në qeverisjen e spitalit. Megjithëse shërbimet e protokollit shëndetësor në spitalet private dhe publike janë pak a shumë të njëjta, në këndvështrimin e një pacienti, ndryshimi kryesor janë lehtësirat dhe kujdesi që i jepet një pacienti. Sigurisht, nuk mund të mohohet që lehtësirat dhe kujdesi shtesë vijnë me një kosto. (koha.mk)

Desk
By Desk November 18, 2020 20:11