Rritet numri i personave që vullnetarisht dhurojnë gjak

Desk
By Desk March 7, 2020 19:28

Rritet numri i personave që vullnetarisht dhurojnë gjak

Është në rritje numri i qytetarëve që duan të dhurojnë gjak. Momentalisht ka rreth 35 000 dhurues aktiv, ndërsa të rinjtë çdo ditë e më shumë kyçen në aktivitetet për dhurim të gjakut, konfirmon Aleksandra Vallkanovska nga Kryqi i Kuq. Vallkanovska thekson se 10 vitet e fundit vendi nuk përballet me mungesë të rezervave të gjakut.

Maqedonia e Veriut ka nevojë vjetore për 55 000 njësi gjak, për të gjitha qendrat klinike, të sëmurët dhe të lënduarit. Mundohemi ta realizojmë këtë numër dhe për fat të mirë shpesh edhe e tejkalojmë, pasi njerëzit vërtetë kanë vetëdije të zhvilluar, duan të bëjnë diçka, të dhurojnë – deklaroi Aleksandra Vallkanovska, Kryqi i Kuq, Qyteti i Shkupit.

Kryqi i Kuq dhe Instituti i Transfuziologjisë realizojnë rreth 800 aksione në vit. Goran Andonov nga Reparti i dhurimit të gjakut theksoi se falë bashkëpunimit mes institucioneve të ndryshme shëndetësore, nuk ndodhë që të përballen me mungesë gjaku, madje as për grupet negative që janë më të rralla në nivel shtetëror, vetëm 15%.

Përmes një dhurimi nuk fitojmë vetëm një produkt, kemi eritrocite, trombocite dhe plazmë. Plazmën mund ta ngrijmë në -30. Trombocitet, fatkeqësisht, qëndrojnë vetëm 5 ditë, por edhe këtu ia dalim ta menaxhojmë situatën. Eritrocitet qëndrojnë mes 35-40 ditë, përmes menaxhimit ditor ia dalim që të mos grumbullohet sasi e tepërt – tha Goran Andonov, Udhëheqës i Repartit të dhurimit të gjakut.

58 vjeçari, Reshat Limani i cili ka dhuruar 121 herë gjak thotë se gjaku riprodhohet shumë shpejtë dhe se dhuruesi nuk humb asgjë, përkundrazi përjeton ndjenjën e të shpëtuarit të jetës.

Kam filluar prej viteve të 80-ta, në vit të tretë në shkollë të mesme, atëherë në Ish Jugosllavi dhuronim grupe nxënësish. Prej atëherë fillova dhe vazhdova të jap gjak për 4 dekada tashmë. 121 herë janë bërë deri tani Deri kur do të vazhdoni? Derisa të jem mirë me shëndet. T’i ndihmosh dikujt, të jesh human nuk është e thjeshtë. Gjaku nuk prodhohet, por vetëm dhurohet. T’i dhurosh dikujt prej trupit tënd është diçka e veçantë – u shpreh Reshat Limani, dhurues gjaku.

Aksidentet, lindjet, operacionet e zemrës ose ato në kockat e legenit, sëmundja e leukemisë janë vetëm disa nga rastet kur nevojitet sasi e madhe e gjakut. (Alsat)

Desk
By Desk March 7, 2020 19:28