Rritja e çmimeve, inspektorët shqiptojnë dënime

Rritja e çmimeve, inspektorët shqiptojnë dënime

Pas paraqitjes së virusit Korona, në vend u vërejt rritje e çmimeve të produkteve ushqimore dhe higjienike.

Shtrenjtimi më i theksuar ishte te limoni, mielli, sheqeri dhe detergjentet. Shitësit në tregun e Bitpazarit në Shkup thonë se disa çmime janë rritur, por rritja është bërë në tregun me shumicë.

“Ka diçka çmime të rritura.”,- tha një shitës.

“Jo nuk varet prej nesh, çka është prodhim i vendit është ai çmim, ndërsa të jashtmet kanë çmim më të lartë.”,- theksoi një shitës.

“Vetëm limoni, se gjërat e tjera janë jashtëzakonisht lirë. Tash mbarë populli është në një gjendje katastrofale. Njerëzit vijnë për gjërat më elementare, shumë pak ka lëvizje të qytetarëve.”,- u shpreh një shitës.

“Normal që ka rritje, çdoherë ka pasur rritje dhe prapë ka. Bananet tash janë 70 den. më herët ishin 65 den.”,- potencoi një shitës.

“Në fillim u bë deri në 50 den. më tepër, nuk ishte te ne problemi, ishte te kërkimi i limonit që e kërkonin njerëzit, kishte pak panik, tani 150 është çmimi.”,- u shpreh një shitës.

“Vetëm limonin e kanë rritur, tjerat jo.”,- tha një qytetar.

“Limonët ishin shtrenjtë një kohë, tash u ka rënë çmimi.”,- u shpreh një qytetar.

Pas njoftimeve për rritje çmimesh, inspektorët kanë realizuar 7633 inspektime brenda katër ditësh, me ç’rast janë dënuar 2 nga 4 importues të frutave tropikale në vend, pasi inspektorët kanë hasur në rritje të çmimeve të produkteve e sidomos të limonit.

Drejtori i Inspektoratit të Tregut i paralajmëroi importuesit që të mos përfitojë më shumë se 15%.

“Problemin e vetëm që e kemi me tregtarët e mëdhenj, gjegjësisht importuesit në vendin tonë që për fat të keq janë vetëm 4 dhe tek ata kontrollet janë në proces. Dy prej tyre veç më janë dënuar për mosrespektim të vendimit. Kemi edhe rritje të çmimeve të importuara, megjithatë rezerva të limonit dhe frutave tjerë tropicale në vendin tonë ka dhe qytetarët nuk duhet të kenë panik.”,- deklaroi drejtori i Inspektoratit të Tregut, Stojko Paunovski.

Sipas Paunovskit, në shumë raste është respektuar vendimi i Qeverisë dhe çmimet në markete janë kthyer në nivelin e para 11 marsit, ndërsa të gjithë ata që nuk do t’i përmbahen kësaj do të përballen me dënime edhe atë për person juridik është 8 mijë euro, ndërsa për personin përgjegjës 2 mijë e 400 euro.

Qytetarët që vërejnë rritje të çmimeve mund ta paraqesin atë në numrin 191.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 31 Mars, 2020 19:26

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.