Rritja e pagave: Nuk dihet kush dhe sa punon!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Korrik, 2022 20:20

Rritja e pagave: Nuk dihet kush dhe sa punon!

Nga ekzekutivi thonë se deri në fund të vitit do të jetë gati Ligji i ri për paga në sektorin publik, ku nuk do të ketë parregullsi dhe padrejtësi ndërmjet të punësuarve në këtë sektor. Ekspertët thonë se shteti nuk ka realizuar analizën për produktivitetin e të punësuarve në sektorin publik, andaj është vështirë të flitet për lartësinë e pagave.

Përkundër kërkesave të përsëritura të sindikatave për rritjen e pagave në sektorin publik për 2806 denarë, edhe me rishikimin e fundit të buxhetit nuk parashikohen mjete për diçka të tillë. Lidhja e Sindikatave kërkon disa muaj rritjen lineare e të gjitha pagave në sektorin privat dhe publik prej 2806 denarë, nga punëtori i thjeshtë deri tek kryetari i shtetit, pajtimi për një marrëveshje të re kolektive të përgjithshme në sektorin publik si dhe regres për pushim për të gjithë punëtorët. Sindikatat i mbështesin kërkesat e tyre në rritjen e madhe të harxhimeve të jetesës, duke filluar nga ushqimet, nafta, rryma e kështu me radhë. Nga ekzekutivi nuk përjashtojnë mundësinë e rritjes së pagave, por shtojnë se kjo do të realizohet përmes dialogut social, që do të realizohet së bashku me sindikatat. Njëherësh shtojnë se metodologjia e re do të vlerësojë produktivitetin, si dhe ruajë standardin jetësor në raport të pagës dhe inflacionit.

EKZEKUTIVI DO TË PËRMIRËSOHEN TË DREJTAT E PUNËTORËVE

“Ne premtuam se do të ketë përmirësim të të drejtave të punëtorëve, premtuam se do të fillonim dialogun social për të arritur një marrëveshje të re të përgjithshme kolektive dhe se njëherë e përgjithmonë do të krijojmë një sistem që do të garantojë rritje të vazhdueshme të pagave për punëtorët në sektorin publik. Do të ketë një marrëveshje kolektive të përgjithshme që do t’u japë të drejta shtesë punëtorëve në sektorin publik, por jo zgjidhje ad hok që nuk është zgjidhje sistematike dhe nuk kontribuojnë në përmirësimin e të drejtave të punëtorëve”, thotë ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Trençevska. Sipas saj, do të punohet në përgatitjen e Ligjit të ri për paga në sektorin publik, ku nuk do të ketë parregullsi dhe padrejtësi ndërmjet të punësuarve në sektorin publik. Njëherësh ka filluar edhe procesi i përgatitjes së marrëveshjes së re kolektive që pritet të përmbyllet së bashku me regresin për pushime apo K-15 për sektorin publik , deri në fund të vitit.

Në ndërkohë analizat e ndryshme tregojnë se vendi akoma ka problem me efikasitetin e administratës publike dhe reformat që lënë për të dëshiruar në këtë sektor. Mbetën vetëm në letër paralajmërimet për shkurtimin e administratës, pensionimin dhe transferimin e një pjese të saj në sektorin privat.

EFIKASITETI I ADMINISTRATËS, PROBLEM

Analizat e Fondacionit MetaMorfozis, ku kanë marrë pjesë edhe më shumë ekspertë tregojnë se po vonohet ligji për riorganizimin e organeve të administratës së shtetit si dhe ligji për pozita të larta udhëheqëse. “Efikasitetit i administratës mbetet problem. Edhe pse në zgjidhjet e tanishme ligjore janë inkorporuar modele për matjen e efikasitetit, ai po zbatohet formalisht. Me këtë në njëfarë mënyre ka ngecur edhe sistemi i pagave, i cili sipas angazhimeve të ekzekutivit duhet të ndryshohet dhe pagat të rriten, por në të njëjtën kohë theksohet edhe efikasiteti dhe matjen e atij efikasiteti në administrate”, thuhet në analizë. Edhe pse ekzistojnë pikëpamje të ndryshme për numrin e nëpunësve civilë dhe punonjësve në sektorin publik, megjithatë kryesore mbeten atmosfera dhe cilësia e punonjësve në administratë, dhe jo numri i tyre. Gjithashtu të gjitha burimet që janë konsultuar për këtë raport udhëzojnë se atmosfera nuk është në nivele të lakmueshme (kryesisht për shkak të pagave të ulëta) dhe se ka problem në përmbushjen e detyrave si për sa i përket kohëzgjatjes së procesit, edhe për sa i përket cilësisë së detyrave të kryera. Sigurisht, ky faktor varet edhe nga shpejtësia dhe cilësia e zbatimit të reformave në administratën publike.

NUK MATET PRODUKTIVITETI I SEKTORIT PUBLIK

Nga ana tjetër eksperti i kësaj lëmie, Dragan Gocevski thotë se duke marrë parasysh krizën ekonomike nevojitet të ketë rritje të pagave edhe në sektorin publik, duke shtuar se shteti nuk ka realizuar analizën për produktivitetin e të punësuarve në sektorin publik, andaj është vështirë të flitet për lartësinë e pagave, dhe sa rritja e tyre do të rriste efikasitetin dhe produktivitetin në sektorin publik. Sipas tij mungon një tregues objektiv në kuptimin e asaj se sa punon administrate vendore, sa është produktiviteti në nivel të institucionit si dhe të shërbimeve të ndryshme, përkundër asaj se ekzistojnë modele dhe formula të ndryshme sikur ajo e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për lloje të ndryshme të proceseve punuese. “Mbetet çështje e ndërlikuar se sa një formulë mund të zbatohet për atë sa jemi produktiv në nivel të të gjithë sektorit publik, apo për më tepër na nevojiten disa formula për sektorin publik. Por kjo kërkon që të dimë se çka shërbime ofrojmë. Njëherësh nevojitet edhe sinqeritet dhe paanshmëri, që të shtjellohet çështja se a punon çdo i punësuar njësoj. Nëse ia arrijmë dhe kemi vullnet t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve, atëherë mund t’i përgjigjemi edhe pyetjeve kush punon, kush nuk punon nëse nuk punon, a punojmë mirë, sa kanë njohur të punësuarit, etj”, shton Gocevski.

NGECIN REFORMAT

Në ndërkohë në strategjitë qeveritare për administratën theksohet se motivimi i sektorit publik për punë do të bëhet përmes trajnimeve, shpërblimeve, pagave dhe sistematizimeve të reja. Njëherësh theksohen edhe angazhimet për paga më të larta deri në 30 për qind për të punësuarit në institucion që kanë treguar rezultatet shumë të mira. Nga ana tjetër, vërejtje për administratën publike për çdo vit theksohen edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Atje ndër të tjerash theksohet se duhet të revidohet apo rishqyrtohet sistemi i pagave me qëllim që të sigurohet nivele më konzistente apo të qëndrueshme të pagave si dhe, të promovohet mobiliteti apo lëvizja nga ndonjë institucion në tjetrin si privat ashtu edhe publik. Ndryshe, Maqedonia e Veriut për çdo vit për paga dhe pensione ndan afër 40 për qind të buxhetit të shtetit. Sivjet në buxhet për paga ndahen 14 për qind e arkës shtetërore prej 4.4 miliardë euro apo afër 540 milionë euro së bashku me mbi një miliardë euro për pensione. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Korrik, 2022 20:20