Ruskovska-Muaremi, BE-ja nuk përzihet

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Gusht, 2022 19:23

Ruskovska-Muaremi, BE-ja nuk përzihet

Vazhdon saga e konfliktit Ruskovska-Muaremi. Prokurorja për krim të organizuar Villma Ruskovska kërkoi ndihmën e BE-së dhe të ambasadave të huaja për presionet ndaj drejtori i Policisë Financiare Arafat Muaremi por nuk do ta marrë atë. BE-ja ktheu përgjigje negative për ndërhyrje megjithatë konfirmoi se e ndjek rastin. Edhe Ruskovska, edhe Muaremi, për VMRO-DPMNE-në, kanë kryer veprime të jashtëligjshme dhe duhet të japin dorëheqje.

BE-ja e ndjek por nuk do të përzihet në konfliktin mes shefes së Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion Villma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare Arafat Muaremi. Nga Zyrat e BE-së në Shkup për agjencinë e lajmeve MIA thonë se çështja duhet të zgjidhet nga institucionet vendase.

“Sundimi i ligjit është ndër prioritetet më të larta për Bashkimin Evropian. Ai është pjesë thelbësore e kllasterit negociues që pason për vlerat fondamentale, i cili do të hapet i pari gjatë negociatave me BE-në. ligjet e zbatueshme i përcaktojnë kompetencat e autoriteteve kombëtare dhe mënyrat e bashkëpunimin mes tyre, të cilat duhet të respektohen. Këtë çështje duhet ta zgjidhin organet kompetente”, njoftojnë Ambasada e BE-së në Shkup.

Përgjigja e BE-së vjen dy ditë pasi prokurorja për krim të organizuar Ruskovska ftoi BE-në dhe ambasadat e huaja ta ndihmojnë me presionet nga ana e Muaremit. Muaremi, nga ana tjetër, njoftoi gazetarët se do të dorëzojë kallëzim penal për prokurorët që hynë në zyrën e tij për bastisje për shkak se thotë se ka pasur parregullsi dhe shkelje gjatë procedurës. Në zyrat e Policisë Financiare prokuroria bastisi pas disa paraqitjeve nga një grup qytetarësh.

Kundër Ruskovskës doli edhe Shoqata e prokurorëve publik. Sipas tyre Ruskovska e ka njollosur imazhin e prokurorëve publik dhe e ka shkelur Kodin e tyre etik. Prokuroria Themelore Publike po ashtu ka raportuar parregullsi në bastisjes e Ruskovskës.

Rasti nuk ka kaluar pa u komentuar politikisht. Për VMRO-DPMNE-në, edhe Ruskovska, edhe Muaremi janë njerëz që në vazhdimësi kanë shkelur ligjin duke qenë të afërt me LSDM-në.

“Edhe njëri, edhe tjetri kanë punuar në kundërshtim me ligjin, prandaj vendi është në këtë gjendje. Është e qartë se të dy kanë diçka për të fshehur në punën e tyre. Është shumë e thjeshtë, të dy duhet të japin dorëheqje dhe të vinë njerëz profesionist të cilët nuk do të varen nga LSDM-ja dhe nga njerëzit në pushtet që të rritet besimi i qytetarëve në organet e drejtësisë”, u shpreh Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE./Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Gusht, 2022 19:23