Sa e dobishme do të jetë fushata negative?

Desk
By Desk May 12, 2020 19:49

Sa e dobishme do të jetë fushata negative?

Përdorimi i bombave nga të dy palët tregon se sa hipokrite janë partitë politike, ndaj ligjeve që ata vetë i votojnë në Parlament, ndërkohë që tash më është e njohur se fushata negative nuk sjell vota dhe as pikë politike në konton e partisë. Megjithatë, teme kryesore gjatë fushatës do të duhet të jetë se çka pas pandemisë dhe të jepen ide se si duhet të kalohet kjo krizë.

Rastet me virusin korona, kanë filluar të bien dhe pacientët e shëruar po shtohen dita ditës. Me këtë mund të themi se kemi filluar ta fitojmë betejën me virusin korona dhe tani hapet edhe mundësia për mbajtjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet ishin të planifikuara të mbahen me 12 prill, por u anuluan për shkak krizës shëndetësore me virusin korona. Në prag të vendosjes së datës së re për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në opinion janë publikuar disa të ashtuquajtura “bomba”. Në këto “bomba” ka përmbajtje të bisedave të dy kryetarëve të partive politike më të mëdha në vend.

VMRO-DPMNE-ja duke komentuar “bombat” e publikuara ka vlerësuar se në katër bombat e publikuara në “Youtube” mund të shihet qartë se çfarë qëndrimi ka Zoran Zaevpër popullin e vet, revolucionin laraman, iniciativat studentore dhe Ali Ahmetin. Në anën tjetër, Zaev në një konferencë për media ka folur rreth “bombave” të publikuara. Ai ka hedhur poshtë akuzat e VMRO-DPMNE-së, dhe ka thënë se dëshiron edhe një herë ta konfirmon se bisedimet dëshmojnë se kam qenë i bindur se qytetarët e vendit tonë do të mbështesin politika demokratike dhe jo regjim dhe pikërisht këtë edhe e vërtetojnë.

Profesori universitar, Rizvan Sulejmani, për gazetën KOHA, ka thënë se fushata negative nuk sjell vota dhe as pikë politike në konton e partisë, për këtë qëllim duhet të ketë kujdes të shtuar se si zhvillohet fushata para zgjedhore. “Mendimi im është se publikimi i këtyre bombave bëhet për ta defokusuar opinionin publik, nga kriza që do ta shkaktoj virusi korona pasi kjo të ketë kaluar. Sepse asnjëra prej tyre nuk ka ide se si do të duhet të veprojmë pas-pandemisë për shkak se pasojat që do t’i lënë kjo pandemi do të shkaktojë krizë të madhe ku dhe do të filloj të ndjehet nga shtatori deri në mars”, ka thënë ai. Duke shtuar që qëllimi i publikimit të tyre është që gjatë fushatës të merret me “bombat”e publikuar dhe jo me idenë se si të tejkalohet kriza pas-pandemie. Sipas tij, teme kryesore gjatë fushatës do të duhet të jetë se çka pas pandemisë dhe të jepen ide se si duhet të kalohet ajo krizë. Ai shton që sipas analizave dhe statistikave nga ekspertët, Maqedonisë së Veriut, i duhen më shumë se një miliardë euro për tejkalimin e krizës pas koronës.

Gazetarja dhe ish-diplomatja, Adelina Marku, për gazetën KOHA, është shprehur se përdorimi i bombave nga të dy palët tregon se sa hipokrite janë partitë politike, ndaj ligjeve që ata vetë i votojnë në Parlament. “Këtë e them se të ashtuquajturat bombat, janë të ndaluara me ligj tani më dhe duke mos e respektuar këtë, ne kuptojmë se partitë politike nuk e kanë haberin të ndërtojnë shtet të së drejtës në këtë vend”, mendon Marku. Sipas saj, publikimi i këtyre bisedave apo “bombave” shkon vetëm në interes të paaftësisë së partive politike, vetëkënaqësisë së tyre perverse dhe groposjes së besimit të votuesit ndaj tyre. Ndryshe, LSDM ka propozuar datën 21 qershor si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, por kjo ka mbet të vendoset në takimin e liderëve, që do të mbahet më 12 maj. (koha.mk)

Desk
By Desk May 12, 2020 19:49